Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve disi të paqëndrueshme, mirëpo të masave më të ngrohta, konkretisht deri të premten apo të shtunën, kur edhe pritet të depërtojnë masat e ftohta.
Nën këto kushte, moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa të martën dhe të mërkurën, pritet kohë pas kohe të ketë reshje lokale shiu, kryesisht të përqëndruara në Rrafshin e Dukagjinit, sidomos pjesa perëndimore dhe jugperëndimore.
Përgjatë javës në orët e mëngjesit apo në mbrëmje, nuk përjashtohet mundësia për mjegull nëpër lugina dhe ultësira.
Të premten në mbrëmje ose të shtunën, varësisht nga shpejtësia e lëvizjes së masave, pritet të depërtojë një fronti i ftohtë nga veriperëndimi i kontinentit, ku fillimisht pritet të sjellë reshje shiu, e më pas pritet të shndërrohen në ato të borës.
E diela mbetet me mot kryesisht të vranët dhe kohë pas kohe me reshje bore.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe lokalisht pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-55 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -5 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej -1 deri në 16°C. Vlerat më të larta do të na shoqërojnë deri të premten, e më pas ulje e theksueshme e tyre në të dyja vlerat ekstremale të ditës. /MeteoKosova/