I fejuari i Rita Orës, Taika Waititi, ‘e prishi’ intervistën e saj të drejtpërdrejtë me emisionin televiziv australian të mëngjesit “Sunrise” të mërkurën.
Këngëtarja shqiptaro-britanike, 31 vjeçe, po përfundonte bisedën e saj me prezantuesen Natalie Barr nga shtëpia e saj në Londër, kur regjisori i “Thor”, 46 vjeç, u shfaq papritur në kamera për të përshëndetur shikuesit.
“Taika, largohu nga xhirimi im”, tha Rita, përpara se çifti të shpërthente në të qeshura, shkruan DailyMail.
Pasi ai u largua shpejt, Rita shtoi: “Kthehu! Thuaj përshëndetje të gjithëve”.
“Përshëndetje, nuk mund të të dëgjoj”, u përgjigj Taika.
Gjatë intervistës, Rita foli se sa shumë i pëlqente eksperienca e saj e fundit si trajnere në “The Voice Australia”, në Sydney.
“Është vendi më i mirë ndonjëherë… Unë e kaloj kohën më të mirë; është si të jesh në pushime. Dhe unë jam shumë mirënjohëse që Australia më pranoi dhe më bën të ndihem sikur (është) shtëpia ime e dytë”, tha artistja me origjinë nga Kosova.
Kjo paraqitje vjen pak kohë pasi Taika thuhet se u transferua në shtëpinë e të fejuarës së tij në vlerë prej tetë milionë funte (9.5 milionë euro) në veri të Londrës.