Ardit Kërtusha, ish-kandidat për kreun e PS në Durrës ka mbetur i plagosur me armë zjarri. ABC mëson se ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin e reperit të njohur Noizy që ka në bregdetin e Durrësit.
Ardit Kërtusha është pjesë e PS që prej shumë vitesh. Përplasja mes tij drejtuesve të lartë socialistëve në Durrës nisi në tetor të vitit 2019, kur ai shprehu dëshirën për të kandiduar për kryetar i PS në zgjedhjet që u mbajtën në Janar, 2020.
Në vazhdimësi, Kërtusha ka akuzuar se është kërcënuar dhe është larguar padrejtësisht nga detyra në OSHEE, në formë hakmarrje pasi po kërkonte të kandidonte pa pëlqimin e gardës së vjetër të PS në Durrës me në krye Vangjush Dakon.
Njoftimi paraprak i policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 13:00, në lagjen nr.1 Durrës, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. K., 31 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon krehja e zonës, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/abcnews.al/