Të dielën (nesër) do të zhvillohen garat kualifikuese në FIBA Europe Cup në 3×3, ku Kosova do të përfaqësohet me ekipin e meshkujve dhe për herë të parë edhe në konkurrencën e femrave. Garat do të zhvillohen në Rumani.
Te meshkujt Kosova është pjesë e Grupit D, së bashku me Hungarinë, Ukrainën dhe Britaninë e Madhe. Kosovën te meshkujt do ta përfaqësojnë Bardh Rexha, Visar Ejupi dhe Altin Selmancena, përcjell FrontOnline.
Dy skuadrat e para të çdo grupi do të kualifikohen tutje.
Kosova ndeshjen e parë do ta ketë ndaj Hungarisë, të dielën nga ora 10:25, sfidën e dytë ndaj Britanisë së Madhe nga ora 12:55 dhe përballjen e tretë ndaj Ukrainës nga ora 17:40.
Te femrat, Kosova në Grupin D do të takohet me Bjellorusinë dhe Estoninë.
Kjo është hera e parë që Kosova do të garojë në konkurrencën e femrave në këtë garë ndërkombëtare. Kosovën do ta përfaqësojnë Arbnore Përquku, Saranda Daci, Diedona Halitaj dhe Marigona Rushiti.
Ndeshjen e parë vashat tona do ta kenë ndaj Bjellorusisë nga ora 11:15 dhe takimin e dytë ndaj Estonisë nga ora 13:45./FrontOnline/