×
  • Lajme
  • Lajme

    Të dhunuarave gjatë luftës pandemia iu “ktheu” tmerrin, s’gjetën mbështetje nga shteti

    FrontOnline
    18 Tetor 2020

    Marsi, prill e maji po i kujton Kosovën e përgjakur të dy dekadave më parë. Po në këtë pranverë të hershme, vendi u mbyll përsëri si shkak i pandemisë. Kjo kohë u ka kthyer viktimave të gjalla të luftës, përjetimet e traumat e viteve 98-99.

    Mbi 10 gra, të moshave të ndryshme kishin një fat, aspak të mirë. Kujtimet i kanë të rënda, që ua rëndojnë brendinë dhe jetën për mbi 20 vjet. Në mesin e tyre është edhe në atë kohë 19 vjeçarja, e cila në kushte anonimiteti tregon se çdo ditë me vete ka përcjellës ngjarjen në mendje, e shenjat në trup, për ta bërë të pamundur të harrojë përjetimet.

    X: Koha e pandemisë ma ka kujtuar kohën e luftës

    “Në kohën e pandemisë mu ka kujtua gjatë luftës çka kena hjek. Aty mu ka duk si me kanë një tmerr. Jam kanë e bllokume, e izolume, nuk kena pas drejt me dal as te pragu i derës. Është dasht që shoqatat me na pru ushqimore, ma qojke mallin e luftës… Gjendja ekonomike nuk është edhe e mirë, se jena një goxha anëtarë, nuk është edhe aq e mirë. Jemi papunë… (02:44) Njeri kur nuk ka hyrje dalje të vijnë kujtimet e luftës, qysh je dal, qysh nuk ke pasur, si dalsha në derë ‘kuku këqyre erdhën’, qashtu ma ka qua mallin”, shprehet ajo.

    Muajve që u detyrua të qëndrojë e mbyllur, ajo tregon për KosovaPress se përjetoi traumë të dyfishtë. E që gjatë kësaj kohe nuk gjeti mbështetje nga shteti, ani pse të vështirë e pati të sigurojë edhe kafshatën e gojës për fëmijët e saj.

    X: Pandemia u kanë një tmerr

    “Nuk na ka ndihmuar kurrkush, përveç këto shoqata çka na kanë pru, si në luftë u kanë. Gjatë luftës që kena hjek për një copë bukë, e që jena dal në rrugë me lyp, qashtu na i ka bërë pandemia… Tu mendu gjatë luftës çka kena hjek, nuk ke pas mundësi fëmiut tënd me ja plotësua kushtet sa duhet. Të ka lyp nuk ke pas me çka i jep. Pandemia u kanë një tmerr, veç në luftë edhe tash qikjo pandemi. Se je kanë e izolume në shtëpi, ti nuk ke pasur, kur nuk ki të holla nuk mundesh me dal as për jashtë derës…Kurrkush nuk ka ardh, përveç këtyre shoqatave që na i kanë pru pako ushqimore, me qato e kemi qu”, shton ajo.

    Të gjitha këto po i kujtojnë pranverën e vitit ‘99 kur ajo si 19 vjeçare në mënyrë makabre u dhunua nga forcat paramilitare serbe. Tash e dy dekada asnjëherë nuk gjen qetësi, derisa po ballafaqohet me probleme të shumta shëndetësore.

    X: Sot jam mbet me të meta

    “Sot jom met me të meta, tu mendua. Nuk ja kom dit vlerën fëmiut tem që e kam pas fëmijë. A ka më vështirë se për mua? Nuk e kam rrit një fëmijë, qysh rritet fëmija me vullnet, e që e ka dashninë e fëmisë. Se në dorë e kam pasur, ndoshta mu ka duft me lëshua në atë moment. Edhe sa herë të foli, mu çdo sekondë, çdo minutë më kujtohet. Se mu ka rreh nëna që u mundu me na mbrojt”, vazhdon ajo rrëfimin mes-lotëve.

    Mëngjeset e ditëve të pranverës së para dy dekadave asaj po ia “ngrijnë” shpirtin. Ajo e ka të freskët ende ditën kur u dhunua nga forcat policore pushtuese serbe. Shteti deri më tani përveç që ka filluar t’ua njoh statusin, ato nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme. Vështirë e ka të harrojë atë që i ka ndodhur, aq më tepër kur në trup për 20 vjet me radhë mban shenjat e aktit makabër të agresorëve serbë.

    X: Më ka sos në trup me cigare ku ka dasht

    “Jena kanë në shtëpi, janë hi na kanë marrë ushtria edhe policia, na kanë qu me një vend, aty na kanë bo maltretime qysh kanë dasht. Jam kanë vajzë pa martua. Aty na kanë dhunua, na kanë sos. Sot ato shenja, me hi kur kena nevojë me u pastrua, unë si të hi me i pa në pasqyre më kthehet jeta përmbas. Aty a ke bërtit, atu ka shtjerr zëri tu bërtit, aty nuk të ka mbrojt kurrkush. Sot me pa atë person që më ka marrë e na kanë dhunua, unë jam në gjendje që e njoh. Se e ka pasur një lythë afër syrit… Ai nuk më ka fol serbisht, më ka fol shqip. Aty në atë vend të ngjarjes na kanë marrë e më kanë dhunua, në rrojë një stubi. Nuk ka mujt me më zhvesh vet, i ka ndihmuar dikush tjetër. Qaq bërtitmë të madhe, sa që mu ka shtjerr zani. Aty më ka zhvesh edhe na kanë dhunua. Ja ka lyp atij tjetrit, unë u munojsha me u mbrojt, ja ka lyp cigarën, atij i ka thënë serbisht ama cigaren. Edhe më ka marrë më ka sos ku ka desht. Sot i kom shenjat e tij”, tregon e mbijetuara e dhunës seksuale.

    Mes lotëve rrëfen këtë natë të muajit maj, kur ajo u mor me forcë dhe u dhunua së bashku edhe me shumë të reja të tjera.

    X: Na kanë marrë në ora dy të ditës deri në ora tre nuk na kanë lëshuar

    “Na kanë marrë në ora dy të ditës, në ora 3 të natës na kanë lshua…Aty kur na kanë lshua, kur jam qu e zhveshur, aty më ka hup vetëdija. Jom mundu me u qu kisha dhimbje të barkut dhe shpinës. U mundojsha me u qu më lëshojshin këmbët. I lypsha teshat, u kanë shumë terr, nuk mujsha me i gjet. I gjeta, u vesha edhe dola. Kur dola jashtë atij objekti e pash edhe familjarin tim që më kanë marrë…Afërsisht janë kanë 10-12 gra…Aty na kanë thënë ecni edhe jom qu arave, u kanë terr, tutu që po na marrin tjerët. Rrëzohu, qohu, nuk mujsha me ec prej dhimbjeve të barkut”, shprehet ajo.

    Pas kthimit në shtëpi, për dhjetë ditë radhazi nuk pati mundësi të qëndrojë në këmbë. Thotë se u detyrua të martohet me dikë shumë më të vjetër se ajo, vetëm që të mbulojë “turpin” e familjes.

    X: Jeta ime u kanë një katastrofë, jashtë derës me dal mu ka duk që po më sheh dikush

    “Kom pi lloj-lloj kokrra edhe nuk e kam dit vetën sa është për me u ndal dikun. Më ka kajt fëmija, nuk kam mujt me u qu prej kokrrave të rënda, me kap si nëna që e kap një evlad e përthekon. Aty mu ka duft me marrë 12 vjet burrin më të moqëm, për me mbulua një marre. Po unë marre nuk kam bërë, po at ana kanë bërë këtë gjendje për me ardh deri në këtë kohë… Jeta ime u kanë katastrofë, jashtë derës me dal mu ka duk që po më sheh dikush. Deri qitu nuk e kam pasur një jetë të kënaqt, me thënë që sot kjo jetë e imje është e kënaqtë. Nuk jam kanë edhe qaq e qitne poshtë për me ardh në këtë gjendje”, tregon ajo në kushte anonimiteti.

    Nuk gjeti asnjëherë përkrahje. Që nga ajo ditë kur përjetoi tmerrin, vjetët i kaloi e mbyllur. Nuk gjeti mbështetje as nga bashkëshorti i saj. Derisa fëmijëve nuk gjeti asnjëherë forcë e guxim t’ua rrëfejë atë që i ndodhi.

    Askush nuk e dinë se ajo vjen në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Në janar të këtij viti ajo ka aplikuar për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale, por ende nuk është ftuar për intervistë. Për këtë i bën thirrje Komisionit për Verifikimin e Statusit që të punohet më shpejt. Derisa bën lutje që mos të ketë bisedime me Serbinë.

    X: Nuk janë duke menduar për gratë e luftës

    “Nuk janë duke menduar për gratë gjatë luftës asnjë troh. Ata janë duke menduar për karrika të veta, në të cilën me u ul. Nuk ja japin një grua përkrahjen që e ka përjetuar tmerrin me sy… Çdo grua e cila e ka përjetuar këtë rast, u mbet me të meta… Ju lutem të mos kanë dialog me Serbinë, se qeveria po flet në vete se i ka shpëtua familja, e nuk ka pasur trauma qysh kam unë. Se ai e ka kollaj ulet aty, e varret e tona nuk i ka men kurrkush”, përfundon ajo.

    Ajo kërkon që në tryezën e bisedimeve me Serbinë të përfaqësojë dikush zërin e saj dhe shumë grave të tjera të cilat po jetojnë me dhimbjet e luftës. Rrëfimin e saj, thotë se është e gatshme ta shpalosë kudo, megjithatë druan se një ditë do të kuptojnë fëmijët e saj për atë se çfarë i ndodhi 21 vjet më parë.

    Nga Rubrika
    Lajme16 Nëntor 2024
    Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka kërcënuar me gjykatë të gjithë gazetarët dhe analistët që ia kanë përmendur emrin për grantin që...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përforcuar kapacitetet e saj me automjete, duke pranuar një numër të automjeteve të tipit kombi-bus,...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Opozita ka akuzuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, se ka ndarë grante për vëllain e deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli. Në mesin...
    Të tjera
    Lajme16 Nëntor 2024
    Pranë Xhamisë së Llapit, sot u zbulua monumenti i dëshmorit, Ismet Krasniqi. Vendi ku i ngrit ky monument, është vendi ku Krasniqi...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se mbrëmë është mbrojtur shteti i Kosovës nga lojtarët në Bukuresht, ndërsa tha se dënon...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten mori pjesë në galambrëmjen e organizuar në 20-vjetorin e themelimit të programit të edukimit, Fondacioni...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës në një Qendër Tregtare, ka thënë se qeveria ka braktisur prodhuesit...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë, se ka refuzuar të mbështesë projektet e “Kooperativës Bujqësore...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Analisti Blerim Latifi ka ironizuar me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi vëllai i Fitore Pacollit, mori grant 100 mijë euro nga ministria e drejtuar...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.