Taylor Swift ka shtuar tetë data të reja në turneun e saj në SHBA “Eras Tour” duke filluar nga viti 2023, që do të thotë se tashmë do të ketë gjithsej 35 shfaqje.
Kështu ka bërë të ditur ylli 32-vjeçar duke postuar lajmin në rrjete sociale të premten.
“Duket se do të shoh më shumë nga fytyrat tuaja të bukura sesa pritej më parë… ne po shtojmë 8 shfaqje në turne”, shkroi Swift në Twitter.
Fansat në Tampa, Florida, Nashville, Filadelfia, Foxborough, Massachusetts, East Rutherford, New Jersey, Seattle, Santa Clara, Kaliforni dhe Los Angeles tani do të kenë secili një natë shtesë për të parë performanec e artistes.
“Eras Tour” do të nisë më 18 mars në Glendale, Arizona. Turneu do të përfundojë me dy netë në Los Angeles më 4 dhe 5 gusht në stadiumin SoFi.
Ajo e përshkroi turneun si ‘një udhëtim nëpër epokat muzikore të karrierës, e kaluara dhe e tashmja.
Lajmi për data të reja të turneut erdhi një ditë pasi Swift u bë artistja e parë në histori që fitoi 10 vendet më të mira të tabelës “Billboard Hot 100” me këngë nga albumi i saj i ri “Midnights”. /Telegrafi/