×
  • Opinione
  • Opinione

    Tarifat e Trumpit mund të shënojnë fundin e Kinës

    Benedict Rogers
    12 Prill 2025

    Nëse ShBA-ja arrin të bindë pjesën tjetër të botës që të mbyllë tregjet për Kinën, kjo mund të jetë rënia e Xi Jinpingut.

    Nga: Benedict Rogers / The Daily Telegraph

    Zbatimi i çmendur i tarifave nga presidenti Trump ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve, më herët këtë javë, shkaktoi panik në tregje dhe e zhyti botën në kaos.

    Por, vendimi i tij për të ndalur tarifat në 10 për qind për të gjitha vendet e tjera për një periudhë 90-ditore, ndërkohë që i rriti tarifat për Kinën në 125 për qind, e ndryshon tërësisht këtë tablo.

    Tregjet janë rikuperuar dhe lufta tregtare ka kaluar nga një sulm i pakufizuar dhe global, në një përqendrim të drejtpërdrejtë ndaj Kinës.

    Lexo po ashtu: Një gjë thelbësore duhet të dini për tronditjen që Trumpi i ka dhënë ekonomisë botërore: Mund të funksionojë!
    Sigurisht, çdo luftë tregtare mes dy superfuqive më të mëdha ekonomike të botës do të ketë pasoja për të gjithë të tjerët. Tregjet globale janë kaq të ndërlidhura me ShBA-në dhe me Kinën; zinxhirët e furnizimit varen shumë nga Kina.

    Vetëm vitin e kaluar, tregtia mes këtyre dy vendeve arriti në 429 miliardë paundë [vlera e përafërt e 493 miliardë eurove], me ShBA-në që shënon një deficit tregtar me Kinën. Megjithatë, tarifat e vendosura gjatë administratës së parë të Trumpit, të cilat janë mbajtur nga Joe Biden, e kanë reduktuar varësinë e ShBA-së nga Kina gjatë dekadës së fundit.

    Dhe, falë Zotit për këtë. Çfarëdo që të mendojë dikush për tarifat e Trumpit, bota duhet të përballet me realitetin se Kina – një shtet totalitar që kufizon rëndë të drejtat e qytetarëve të saj, që përdor punë të detyruar (skllavëri moderne) dhe që ka tentuar të zhdukë identitetin e tibetianëve dhe ujgurëve – është shndërruar në një prodhues dominues të mallrave të konsumit mbi të cilat kemi krijuar një varësi të pashëndetshme.

    Evropa tashmë ka përjetuar një krizë energjetike, kur u detyrua të shkëputej nga varësia ndaj gazit të lirë rus – pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës tri vjet më parë.

    Po aq e rëndësishme është që të shmangim një krizë të ardhshme për shkak të varësisë ndaj furnizimeve kineze – veçanërisht për shkak të kontrollit të madh të Kinës mbi mineralet e rralla, pa të cilat sektori i elektronikës, energjisë diellore dhe prodhimit të makinave elektrike nuk mund të funksionojnë.

    A ka, pra, ndonjë logjikë pas çmendurisë së Trumpit? A është e mundur që Kina të dalë më e dëmtuar nga kjo përballje? Postimet satirike në X që tregojnë Trumpin duke lexuar Arti e Luftës të Sun Tzusë dhe Xi Jinpingun duke studiuar Artin e marrëveshjes të Trumpit, mund të mos jenë aq të largëta nga e vërteta.

    Xi dhe Partia Komuniste Kineze (PKK) janë kokëfortë. Xi ka refuzuar të tërhiqet nga tarifat ndëshkuese me 84 për qind, të cilat Kina i ka vendosur ndaj ShBA-së. Dhe, ndonëse është duke bërë llogaritje, në fund ai kujdeset më shumë për ideologjinë dhe për atë që kinezët e quajnë “fytyrë” apo prestigj.

    Siç argumenton ish-kryeministri australian Kevin Rudd, në librin e tij të ri Mbi Xi Jinpingun, mentaliteti i Xisë për “nacionalizëm marksist” përfshin “dërgimin e politikës kineze në të majtën leniniste, ekonominë kineze në të majtën marksiste, dhe politikën e jashtme kineze në të djathtën nacionaliste.”

    Xi me shumë gjasë do të shfrytëzojë tarifat e Trumpit si një mjet për të nxitur ndjenjat nacionaliste te populli kinez, duke e paraqitur luftën tregtare jo si një sulm ndaj PKK-së, por ndaj vetë Kinës.

    Por, ekzistojnë edhe ca rreziqe nga të cilat Xi mund të reagojë në mënyrë të tepruar në përpjekjet për t’u kundërpërgjigjur. Në një skenar më të keq, nëse dhimbja ekonomike për popullin kinez arrin në nivele të padurueshme, ai mund të reagojë me agresion ushtarak duke pushtuar ose bllokuar Tajvanin.

    Kjo do të shkaktonte një krizë globale shumë më të madhe se lufta tregtare aktuale, por gjithashtu do të mbartte rreziqe të mëdha për Xinë dhe Partinë Komuniste Kineze. Nëse ShBA-ja qëndron e vendosur dhe agresioni i Xisë dështon, pasojat për liderin kinez mund të jenë të rënda.

    Pezullimi i tarifave të gjera, ndaj partnerëve tregtarë në mbarë botën, është një zhvillim i mirëpritur, ndërsa përqendrimi ndaj Kinës është i justifikuar. Siç shkroi ish-nënkryetari amerikan Mike Pence në X: “Kur Amerika tregton me aleatët, kjo është një fitore për popullin amerikan. Qëllimi ynë duhet të jetë tregtia e lirë me kombet e lira”. Ai shtoi: “Është koha të pranojmë se Kina është kërcënimi më i madh kombëtar dhe ekonomik i kohës sonë”.

    Një strategji edhe më e menduar do të kishte qenë vendosja e sanksioneve që kanë një cak, në vend të tarifave të përgjithshme. Fjala është për sanksionet që do të përqendroheshin ndaj kompanive kineze që ndihmojnë gjenocidin ndaj ujgurëve, punën e detyruar në zinxhirët e furnizimit dhe shtetin e mbikëqyrjes masive.

    Zbulimi i ushtarëve kinezë që luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë, i bërë publik, si dhe mbështetja e Kinës për diktaturat si ato në Mianmar dhe Korenë e Veriut, dëshmojnë se ajo nuk është mike e botës së lirë. Fushata e saj e shtypjes transnacionale – që luhet në kampuset universitare dhe në lagjet në Britani dhe gjetkë – është një kujtesë tjetër për këtë.

    Nëse ShBA-ja arrin të izolojë Kinën dhe veçanërisht nëse – në këtë përpjekje – arrin të bashkojë fuqitë e mëdha rajonale dhe konkurrentët eksportues, si Japoninë dhe Korenë e Jugut, kjo mund të shkaktojë telashe të mëdha për ekonominë kineze e cila tashmë po përballet me borxhe të jashtëzakonshme, rritje të ngadaltë, presione të deflacionit dhe një treg të dështuar të pasurive të paluajtshme në krizë.

    Skenari ku Kina pushton Tajvanin dhe kërcënon të ndërpresë qasjen e Perëndimit në mineralet e saj të rralla, nëse ndokush guxon ta kundërshtojë, nuk është aspak i paimagjinueshëm dhe tregon qartë varësinë e pashëndetshme që kemi krijuar ndaj zinxhirëve të furnizimit kinez.

    Por, nëse ShBA-ja arrin ta bindë pjesën tjetër të botës që të mbyllë tregjet ndaj Kinës, në një mënyrë domethënëse, kjo mund të shkaktojë papunësi masive dhe recesion në Kinë – dhe mund të jetë shkëndija e një revolte të brendshme në një shkallë që mund të rrezikojë pushtetin e Xi Jinpingut. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione18 Prill 2025
    Nga: Gjeneral Piro Ahmetaj Në kapacitetin e Senior Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Ballkanit dhe USA/ NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve...
    Opinione17 Prill 2025
    Nga: Chris Murphy / The Daily Telegraph Ekonomistët dhe analistët kanë kaluar dy javët e fundit duke u përpjekur me ngulm të...
    Opinione15 Prill 2025
    Burimi: The Guardian, Nesrine Malik. “Njerëzit flasin me të pavërtetën për Amerikën”, më tha dikur një gazetar i huaj me përvojë. Ka...
    Të tjera
    Lajme18 Prill 2025
    Gjykata Themelore në Prishtinë- kolegji shqyrtues i gjyqtarëve, ka refuzuar ankesën e Kryeministrit Albin Kurtit për gjobën prej 250 euro, e cila...
    Lajme18 Prill 2025
    Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, e cila në cilësinë e deputetes më të re po e asiston kryesuesin e seancës konstituive, Avni...
    Lajme18 Prill 2025
    Presidentja Vjosa Osmani në ditën e dëshmorëve të UÇK-së të komunës së Prishtinës ka vendosur kurorë lulesh në nderim të dëshmorëve në...
    Lajme18 Prill 2025
    Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka dalë me një deklaratë për formimin e institucioneve. Berisha ka thënë se nuk është...
    Kronika18 Prill 2025
    Raportohet se një burrë është kanosur nga dy të tjerë, në Skenderaj. Policia përmes raportit 24-orësh bën të ditur se lidhur me...
    Lajme18 Prill 2025
    Kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka shfrytëzuar sot një prej pikave mobile të Qendrës së Transfuzionit për të...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.