Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.
“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismajli.
“Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.