Mëngjesi i së enjtes i ka gjetur në një takim të përbashkët tre nga figurat kryesore të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi, kreu i PDK-së, Kadri Veseli e shefi i AAK-së, Ramush Haradinaj zgjodhën mëngjesin që të flasin për tema të “nxehta” si Specialja.
Kështu të paktën thotë medium i AAK-së, aleancapress që ka dhënë detaje për takimin.
Sipas lajmërimit të këtij mediumi, takimi në mes të liderëve ka zgjatur më shumë se një orë e është zhvilluar në njërin nga restorantet e Prishtinës.
Tutje, të njëjtit tregojnë edhe për temat e diskutimit. Pos zhvillimeve politike, Aleanca Press përmend edhe aktakuzat e Speciales që Tribunalit i ka mbetur edhe dy ditë kohë që të vendosë për apo kundër konfirmimit të tyre.
Këtë takim e kanë konfirmuar edhe nga PDK-ja.
Megjithatë, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se takimi i mbajtur në mëngjes nuk ka ndonjë lidhje me zhvillimet politike apo ndonjë temë tjetër në Kosovë.
“Kryetari i PDK-së, z. Veseli ka pasur një mëngjes me presidentin dhe z. Haradinaj, por nuk lidhet me asnjë zhvillim politik apo temë tjetër në Kosovë”, ka thënë Bytyçi.