Më 15 janar 2025, në Bruksel, do të zhvillohet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët për çështjen e të pagjeturve të luftës, me pjesëmarrjen e emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se ky takim ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme dhe adresimin e disa çështjeve kyçe për personat e zhdukur.
“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Delegacioni ynë do të prezantojë kërkesa kyçe që lidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë,” ka shkruar Hoti.
Ai e cilësoi këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, e miratuar më 2 maj 2023.
Marrëveshja për çështjen e të pagjeturve u arrit në dhjetor të vitit të kaluar dhe konsiderohet një nga elementet kyçe për dialogun Kosovë-Serbi.