×
  • Lajme
  • Lajme

    Takim mes tensionesh, Kurti dhe Vuçiq takohen me Kallas pas sulmit të fundit terr*orist në kanalin Ibër Lepenc

    FrontOnline
    03 Dhjetor 2024

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, janë pritur të martën (sot) për herë të parë nga shefja e re e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

    Takimi ka ndodhur vetëm pak ditë pas shpërthimit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit në veri të Kosovës, për të cilin akt Kurti e ka akuzuar Serbinë, ndonëse kjo e fundit e ka mohuar çdo përgjegjësi dhe e ka dënuar sulmin.

    BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës.

    Pas takimit me Kallas, Vuçiq ka thënë se nga shefja e re e BE-së i është kërkuar zgjidhja e rastit të sulmit terrorist në Banjskë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

    Këtë e ka bërë të ditur në profilin e tij në rrjetin social Instagram.

    “Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallasin. Folëm për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit ‘Banjska’ dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiqi.

    Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që shteti i Serbisë ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

    Kurti u takua të martën me Kallasin në Bruksel.

    “Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”.

    Në anën tjetër, deputetë nga radhët e pozitës dhe opozitës nuk presin ndonjë progres nga ky takim, pasi që, sipas tyre, është takim njoftues me kryediplomaten e re të BE-së.

    Batusha:  Ledhatimi i vazhdueshëm i Serbisë nga BE-ja e ka inkurajuar këtë të fundit të bëj akte agresive dhe terroriste në Kosovë

    Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Agon Batusha, e ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel.

    Ai ka përmendur sulmin në Banjskë dhe sulmin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit si faktorë që ndikojnë negativisht në mundësinë e avancimit të dialogut.

    “Duhet të shohim qasjen e udhëheqjes së re të BE-së, do të jetë si takim njoftues. Sa i përket dialogut apo ecjes përpara nuk pres ndonjë lëvizje sidomos pas sulmit në Banjskë dhe sulmit të fundit terrorist në kanalin vital të Ibër Lepencit”, deklaroi Batusha.

    Batusha për “Front Online” ka theksuar se kjo mund të jetë një mundësi për të parë qasjen e udhëheqjes së re të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, por nuk pritet ndonjë lëvizje të rëndësishme përpara.

    “Qasja e pa balancuar në dialog e ndërmjetësuesit dhe ledhatimi i vazhdueshëm i Serbisë mund të ketë inkurajuar këtë të fundit të bëjnë akte agresive dhe terroriste”, përfundoi Batusha.

    Nënkryetari i LDK-së: S’ka pritshmëri për progres në dialogun Kosovë-Serbi

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) Lutfi Haziri, ka deklaruar për “Front Online” se takimet e Bashkimit Evropian në fillimin e mandatit të shefes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, janë më shumë të natyrës njoftuese dhe nuk pritet të sjellin progres të menjëhershëm në dialogun Kosovë-Serbi.

    Ai ka theksuar se përkundër takimeve, progresi në dialog mbetet një sfidë e vazhdueshme dhe nuk do të ndodhin ndryshime të rëndësishme për sa kohë Serbia vazhdon të shkelë parimet e normalizimit dhe të tregojë veprime të dhunshme.

    “Takimet në fillimin e mandatit të Kallas janë më shumë njoftuese se sa një agjendë e cila menaxhon kriza dhe situata të reja që Serbia i krijon me akte terroristë ndaj Kosovës. Në asnjë formë nuk do të ketë njëherë ndonjë progres në dialogun Kosovë–Serbi, kjo është diçka që është përcjellë tashmë për një kohë të gjatë”, deklaroi Haziri.

    Visar Ymeri: Mund të diskutohet për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, për çështjen e hetimit të rastit dhe rolit që institucionet e BE-së mund ta luajnë në këtë drejtim

    Ish-bashkëpartiaku i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Visar Ymeri, ka theksuar për “Front Online” se ky takim ka një natyrë rajonale dhe do të fokusohet kryesisht në çështje të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Ymeri tha se ky takim nuk pritet të sjellë ndonjë zhvillim të shpejtë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Takimi i sotëm do të jetë takim mes udhëheqësve të shteteve të rajonit tonë. Meqë është thirrur si takim rajonal, aty do të diskutohen sigurisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rrugëtimin e vendeve të rajonit drejt BE-së dhe qasjen që do ta ketë Komisioni i ri karshi kësaj çështje të rëndësishme”, tha Ymeri.

    Ai theksoi se në kuadër të takimeve që do të zhvillohen veçmas me Kurtin dhe Vuçiqin, do të diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Sigurisht që do të flitet edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe zbatimin e Marrëveshjes së arritur vitin e kaluar. Marrë parasysh se këto do të jenë takime njoftuese dhe të parat nuk pritet ndonjë gjë e veçantë si rezultat i takimeve”, shtoi Ymeri.

    Ymeri shtoi se nuk duhet rritur ndjeshëm pritshmërinë nga emërimi i Kallas duke theksuar se kërkesat ndaj Kosovës, do të mbeten të njëjta si ato që janë kërkuar në të kaluarën.

    “Kallas është në proces të definimit të qasjes së saj karshi dialogut Kosovë Serbi. Nuk duhet t’i rrisim pritjet sikur emërimi i saj në këtë pozitë të rëndësishme ta ketë një ndryshim drastik në raport me Kosovën, meqë prapë gjërat që do t’i kërkohen Kosovës”, shprehet Ymeri.

    Për më tepër, Ymeri ka thënë se një nga temat që mund të diskutohet gjatë takimit është hetimi i incidentit në Ibër Lepenc dhe roli që mund të luajnë institucionet e BE-së në këtë drejtim.

    “Sa i përket sulmit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc mendoj se do të diskutohet edhe për çështjen e hetimit të rastit dhe rolit që institucionet e BE-së mund ta luajnë në këtë drejtim”, shtoi Ymeri.

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me ç’rast theksoi se përfaqësimi ndërkombëtar...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në një intervistë u shpreh i bindur se ndryshimi politik do të ndodh më 8...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Policia e Kosovës arrestoi dy zyrtarë të Komunës së Graçanicës nën akuzat për keqpërdorim të detyrës dhe marrje ryshfeti, pasi dyshohet se...
    Të tjera
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Idriz Vehapi kandidat për deputet në Kuvendin Kosovës nga radhët e PDK-së, ka njoftuar për takimin e radhës. Përmes një shkrimi në...
    Vip26 Dhjetor 2024
    Gili dhe Redoni, nënë e bir, që u futën në edicionin e katërt të “Big Brother Vip Albania” si një banor i...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Ky afat, i hapur në fund të gushtit, u shty deri më 26...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës....
    Vip26 Dhjetor 2024
    Drenusha nuk e ka lë Gjestin që të fle. Ajo i shkoi atij te shtrati me tigan në dorë, duke i kërcitur....
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi studentë bursistë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.