Për marrëveshjet e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në mbledhjen e gjashtë të dy këtyre qeverive që u mbajt sot në Tiranë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri po thotë se këto marrëveshje ngritin bashkëpunimin në nivelin praktik në funksion të edukimit, kulturës, integrimit dhe shërbimit të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Bashkë e pa kufi, për Bashkitë dhe Komunat tona. Në mbledhjen e dy qeverive, Shqipërisë̈ dhe Kosovës po nënshkruajmë trembëdhjetë marrëveshje dhe protokole me rëndësi ndër-shtetërore. Marrëveshje këto, që ngritin bashkëpunimin në nivel praktik në funksion të edukimit, kulturës, zhvillimit, integrimit dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve. Këto marrëveshje duke eliminuar barrierat, janë hapa kyç për lidhjen mes njerëzve, qyteteve dhe shteteve, duke u bërë bashkë e pa pengesa, pa kufizime, bashkë pa kufi. Një hapë që shkrin, jo vetëm barrierat kufitare, por secilën pengesë e kufizim që ndanë dy shtetet e një kombi”, shkroi Tahiri në profilin e tij ‘facebook’.
Tahiri ka shkruar edhe se në këtë mbledhje u dha zotimi që bashkërisht të hidhen hapat e para të koordinimit nëpërmjet organizimit të kongresit të Autoriteteve Lokale, e që sipas tij kjo platfomë do të indetifikojë fushat e bashkëpunimit dhe intensifikojë komunimkimin në mes Bashkive në Republikën e Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
“Në këtë mbledhje u dha zotimi që bashkërisht të hedhim hapat e parë të koordinimit, nëpërmjet organizimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale, platformë kjo që do të identifikojë fushat e bashkëpunimit dhe intensifikojë komunikimin në mes Bashkive në Republikën e Shqipërisë dhe Komunave në Republikën e Kosovës. Ky lloj koordinimi, përveç aspektit institucional, ka për synim të zgjerohet në nivel kulturor, social dhe ekonomik, duke krijuar hapësirë dhe mundësi të njohjes e bashkëpunimit në një rrafsh më praktik, duke u bërë bashkë e pa kufi, për qytetarët dhe qytetet tona”, shkruan Tahiri.