×
  • Opinione
  • Opinione

    Ta detyrojmë botën e financave që ta shpëtojë planetin tonë

    FrontOnline
    14 Shtator 2021

    Sigurimi i një kalimi të shpejtë në ekonominë e gjelbër është domosdoshmëri, dhe bota e ka kuptuar më në fund këtë gjë. Bota e financave do të luajë një rol thelbësor në këtë proces. Disa institucione financiare kanë dhënë tashmë kontributin e tyre duke emetuar bono të lidhura me projekte që kanë një ndikim pozitiv në mjedis, apo duke instaluar në zyrat e tyre llamba që kursejnë energji. Megjithatë, shumë prej tyre vazhdojnë që të financojnë sektorin e karburanteve fosile dhe të mbështesin fushat e tjera të ekonomisë, të cilat janë të papajtueshme me tranzicioninekologjik. Këto kredi, shumë nga të cilat janë afatgjata, po e përkeqësojnë më tej krizën e klimës.

    Për të zbuluar, zhvilluar dhe shfrytëzuar një fushë të re naftëmbajtëse duhen dekada, një kohë shumë më e gjatë – afat kohor në të cilin bota do të duhet të eliminojë emetimet e gazrave serrë në atmosferë. Këto projekte tradicionale do ta humbin vlerën e tyre gjatë viteve të ardhshme.

    Humbjet e mundshme janë rrezik për investitorët, për sistemin ekonomik dhe për gjithë planetin. Lobet e fuqishme të prira për të mbrojtur interesat e tyre, po bëjnë çmos që ta kundërshtojnë tranzicionin ekologjik. Për më tepër, në rast se dështojnë që ta bëjnë këtë, të njëjtat grupime do të kërkojnë kompensim për çdo humbje të investimeve që nuk duhet t’i kishin kryer.

    Nëse historia ka diçka për të na mësuar, ata do të dalin të pastër. Në teori ne duhet t’i ndalim këto investime. Por, tani për tani në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, kjo ide është politikisht e parealizueshme. Një mundësi tjetër është miratimi i ligjeve të reja.

    Por, meqë tregjet janë miope, duhet të ndërhyjnë entet mbikëqyrëse, siç janë bankat qendrore. Kriza financiare e vitit 2008 tregoi se çfarë mund të ndodhë kur edhe një pjesë shumë e vogël e bazës së kapitalit botëror (në këtë rast hipotekat në ShBA) e humbin vlerën e tyre.

    Një ndryshim në çmimin e produkteve që ka të ngjarë të preken nga ndryshimet klimatike, mund të çojë në kolaps ekonominë në një shkallë të tillë sa të lërë në hije ato të vitit 2008. Karburantet fosile janë vetëm maja e ajsbergut (që gjithashtu po shkrihet). Për shembull, rritja e nivelit të detit dhe ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të shpeshta si zjarret dhe uraganet, mund të çojnë në një rishikim të papritur të çmimeve të tokës dhe pronës. Prandaj, autoritetet e kontrollit duhet të kërkojnë transparencë të plotë mbi rreziqet e lidhura me klimën, jo vetëm për rreziqet fizike, por edhe ato financiare.

    Një politikë që është në gjendje t’i bëjë zero emetimet në atmosferë deri në vitin 2050 (përmes përdorimit të kombinuar të taksave ndaj emetimeve të dioksidit të karbonit dhe ligjeve shumë të forta), do të ketë një ndikim të rëndësishëm tek çmimet e produkteve.

    Një tranzicion shumë i ngadaltë do t`i shtojë rreziqet. Në vend të një rrugëtimi të qetë drejt zero emetimeve në atmosferë, nëpërmjet rregullimeve graduale, ne mund të përfundojmë në një tranzicion kaotik ku do të jenë tregjet ato që do të diktojnë ndryshimin, teksa çmimet mund të rriten në stratosferë.

    Për ta zbutur këtë rrezik, financat duhet jo vetëm të ndalojnë huadhënien e fondeve për investime që janë të dëmshme për mjedisin, por gjithashtu duhet të financojnë ato investime që po shkojnë në drejtimin e duhur. Në këtë rast ne kemi nevoje të përdorim si “karotën” po ashtu edhe “shkopin”. Për shembull, bankat që financojnë investime të rrezikshme për klimën, duhet të detyrohen të kenë më shumë rezerva për të marrë masa kundër këtij rreziku. Investitorët do të paralajmërohen: ata që pavarësisht gjithçkaje vazhdojnë të investojnë tek karburantet fosile, nuk duhet të mbështeten nga sistemi publik përmes zbritjes së humbjeve.

    Në Shtetet e Bashkuara, qeveria siguron shumicën dërrmuese të hipotekave të banimit. Në të ardhmen këtë duhet ta bëjë vetëm në rastin e hipotekave ekologjike (kontrata për blerjen e shtëpive që kanë një efikasitet më të madh nga pikëpamja energjetike).

    Ndërkohë, për të inkurajuar investimet e bazuara tek një kosto e lartë e emetimeve të CO2, qeveritë duhet të japin “garanci”: nëse kostoja e emetimeve do të jetë më e ulët se sa pritet, investitori duhet të kompensohet. Kjo do të ishte një lloj police sigurimi, e cila do t’i nxisë qeveritë të respektojnë angazhimet e marra në bazë të Marrëveshjes së Parisit.

    Këto dhe politika të tjera të ngjashme do ta mbështesin tranzicionin ekologjik. Por, sektori financiar privat nuk ka gjasa të bëjë mjaftueshëm në rast se lihet vetëm. Shumë nga investimet vendimtare që na nevojiten janë afatgjata dhe ndërkohë tregjet financiare fokusohen shpesh tek qëllimet afatshkurtra.

    Për të ndihmuar në tejkalimin e këtij hendeku, në shumë zona, përfshirë Nju-Jorkun, janë themeluar tashmë banka që kanë në fokus kryesor çështjet mjedisore. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duhet domosdoshmërisht ta ndryshojmë mënyrën e konsumimit, prodhimit dhe investimeve. Sfida është brenda mundësive tona për ta përballuar. Por, bota e financave duhet të luajë rolin e saj. Dhe, kjo do të kërkojë më shumë se sa një nxitje, pavarësisht nëse kjo vjen nga shoqëria civile apo qeveritë. / burimi: Internazionale/Në shqip nga: Bota.al/

    Nga Rubrika
    Opinione27 Dhjetor 2024
    Nga: Richard Waters / The Financial Times Në vitin 2024, nuk pati asgjë të re në fushën e inteligjencës artificiale [IA] që...
    Opinione26 Dhjetor 2024
    Shkruan: Lutfi Dervishi Meqë po vjen fundi i vitit dhe ti je i vetmi që mban ende premtime në këtë nahinë tonë,...
    Opinione25 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Nuk mund të mohohet se Partia Demokratike ka realizuar edhe protesta të mëdha, sa i përket pjesëmarrjes së publikut....
    Të tjera
    Lajme29 Dhjetor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka takuar veteranët me rastin e Ditës...
    Sport29 Dhjetor 2024
    11 vjet ‘pa’ Michael Schumacher. Shumë ka kaluar që nga 29 dhjetori i 2013-tës, e diela e fundit e atij viti. Shtatë...
    Lajme29 Dhjetor 2024
    Lideri i AAK-së Ramush Haradianj që organizoi pritje për veteranët e UÇK-së në prag të Ditës së Veteranit që shënohet më 30...
    Vip29 Dhjetor 2024
    Gjesti pati një sfidë për të futur dy banorë në bërllok. E pikërisht për këtë sfidë të tij, ka nxitur debat të...
    Bota/Rajoni29 Dhjetor 2024
    Një sherr me sende te forta mes disa te rinjve ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Tre persona janë shoqëruar për...
    Sport29 Dhjetor 2024
    Legjenda e futbollit francez dëshiron të rikthehet shpejt në aksion dhe është i hapur për oferta. Kanë kaluar tre vjet e gjysmë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.