Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është suspenduar kapiteni i Policisë në Gjilan, pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit kishte shkaktuar rrezik me veturë.
Lajmi u bë i ditur nga IPK, ku thuhet se Policia e Kosovës është njoftuar nga qytetarët dje në orët e mbrëmjes për një vozitje të rrezikshme në Gjilan, duke rrezikuar jetën e dy qytetarëve.
Zyrtari policor është supsenduar thuhet aty, për të vazhduar procedurat e mëtejme ndaj tij.
“Bazuar në autorizimet ligjore Policia e Kosovës ka njoftuar hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës. Hetuesit e IPK-së kanë identifikuar dhe intervistuar tre dëshmitarë lidhur me rastin. Zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast i është bërë testi i alkoolit dhe ka rezultuar së i njëjti ka qenë duke drejtuar veturën e tij private (jashtë detyrës zyrtare) nën ndikimin e alkoolit (2.08 promila)”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rast me dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut te përgjithshëm” .
“Zyrtari policor është suspenduar përkohësisht përderisa rasti sipas urdhrit të Prokurorit do të trajtohet sipas procedurës së rregullt. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente” thuhet në komunikatë.