Ukraina ka lëshuar mbi 20 dronë që synonin Moskën herët mëngjesin e së dielës, duke detyruar autoritetet ruse të mbyllin përkohësisht dy nga aeroportet e kryeqytetit.
Goditja e Kievit është konfirmuar nga zyrtarët rusë. Kryebashkiaku Sergei Sobyanin tha se 12 dronë u shkatërruan në rajonet Ramenskoye dhe Kolomensky të Moskës, si dhe në qytetin e Domodedovo, në jugperëndim të kryeqytetit rus.
“Sipas informacioneve paraprake, nuk ka dëme apo viktima në vendin e rënies së dronëve. Shërbimet e urgjencës ndodhen në këto lokacione”, tha Sobyanin në aplikacionin Telegram.
Megjithatë, videot që qarkullojnë tregojnë makina të përfshira nga flakët. Distrikti Ramenskoye, rreth 45 kilometra në juglindje të Kremlinit, u shënjestrua për herë të fundit në shtator në ofensivën më të madhe të Ukrainës në kryeqytetin rus.
Sakaq, Rosaviatsia, agjencia federale e transportit ajror të Rusisë, thotë në Telegram se “për të garantuar sigurinë e fluturimeve të avionëve civilë, janë futur kufizime të përkohshme në funksionimin e aeroporteve Domodedovo dhe Zhukovo, duke filluar nga ora 5:30 e mëngjesit”.