3 persona kanë humbur jetën në Francë, në atë që po cilësohet si një sulm terrorist. Mediat e huaja raportojnë se dy prej personave u është prerë koka.
Kryebashkiaku i Nice, Christian Estrosi konfirmoi se autori i dyshuar i krimit është marrë në paraburgim dhe falënderoi policinë për reagimin e tyre të shpejtë.
Estrosi u ka thënë gazetarëve se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Prokurorët francezë kundër-terrozimit kanë nisur hetimet për vrasje. Estrosi ka thënë se një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.
Ministri i brendshëm francez, Gérald Darmanin, u ka bërë apel njerëzve që të shmangin qendrën e këtij qyteti. Ai ka thënë se do të organizojë një takim për kriza brenda ministrisë së tij në Paris.
Sipas raportimeve franceze, një grua dhe një burrë kanë vdekur si shkak i sulmit, derisa i dyshuari është ndaluar 10 minuta më vonë, para se të dërgohej në spital.
Një minutë heshtjeje është mbajtur në Asamblenë Kombëtare, ku kryeministri, Jean Castex ka dhënë detaje për masat e reja të izolimit, që hyjnë në fuqi të enjten në mbrëmje.
“Pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tonë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet dhe kohezion.
Nica ka qenë shënjestër e një prej sulmeve më të përgjakshme në vjetët e fundit, meqë më 14 korrik, 2016, një 31-vjeçar nga Tunizia, pati hyrë në një turmë me kamion, duke lënë të vdekur 86 persona.