Liderët evropianë propozuan shtrëngim të kufijve të jashtëm të zonës së zonës Shengen në BE, si kundërpërgjigje e një sërë sulmesh terroriste të kryera nga ekstremistë islamikë. Njoftimi erdhi pas bisedimeve të zhvilluara mes udhëheqësve të Francës, Austrisë, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, lidhur me kërcënimin terrorist në Evropë.
Takimi u organizua nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari austriak Sebastian Kurz, vendet e të cilëve u shënjestruan nga sulmet vdekjeprurëse islamike gjatë javëve të fundit. Macron kërkoi një reagim të shpejtë e të koordinuar dhe tha se lejet e qëndrimit të lëshuara nga shtetet evropiane, ishin shfrytëzuar nga persona me qëllime të mbrapshta.
“Hapësira e lëvizjes së lirë Shengen, është një prej arritjeve kryesore të ndërtimit të Evropës, por premtimi i lëvizjes së lirë përmes kufijve tanë të brendshëm lidhet me premtimin për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë në kufijtë e jashtëm. Ky premtim i dytë nuk është përmbushur plotësisht dhe popujt tanë nuk mund të pranojnë mbajtjen hapur të kufijve nëse nuk reformojmë zonën Shengen”, deklaroi Macron.
Merkel, nga ana e saj, tha se ishte tejet e rëndësishme të dihet se kush hyn e kush del nga zona Shengen.
“Para së gjithash duhet të vëmë në zbatim të gjitha ato gjëra për të cilat kemi folur më herët. Dua të përmend sistemin e hyrje-daljeve në zonën Shengen, i cili do të jetë gati në 2022-shin. Është tejet e rëndësishme të dimë se kush hyn e kush del nga zona Shengen”, nënvizoi kancelarja gjermane.
Një javë më parë, një 20-vjeçar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, vrau 4 persona në kryeqytetin Vjenë. Ndërsa në Francë, muajin e kaluar një ekstremist Islamik u mori jetën tre personave në një kishë të Nicës, e një tjetër i preu kokën një mësuesi në Paris, pasi ai i kishte treguar nxënësve karikatura të Profetit Muhamed. /A2