Karatisti Elhami Shabani ka arritur disa nga sukseset më të mëdha në karrierën e tij, duke u shpallur kampion i Kosovës për 16 vite dhe kampion mbarkombëtar për 12 vite.
Ai gjithashtu ka fituar tituj të rëndësishëm në nivele ballkanike dhe evropiane, duke u renditur nënkampion ballkanik individual dhe duke marrë vendin e tretë në kampionatin ballkanik me ekipin e Kosovës.
Një tjetër arritje e veçantë ka qenë vendi i dytë në kampionatin evropian për regjione me ekipin e Kosovës.
“Një ndër arritjet kryesore është që kam qenë kampion i Kosovës për 16 vite, kampion Mbarëkombëtar 12 vite. Kam qenë nën kampion ballkanik individual dhe kam arritur vendin e tretë në kampionatin ballkanik me ekipin e Kosovës. Një arritje e rëndësishme ka qenë vendi i dytë në kampionatin evropian për regjione me ekipin e Kosovës”.
Por për Shabanin, arritja më e madhe mbetet fitimi i medaljes së bronztë në kampionatin evropian për seniorë në vitin 2022.
Kjo medalje e çmuar është një moment i paharrueshëm në karrierën e tij, duke i dhënë atij forcën dhe motivimin për të vazhduar të luftojë në rrugën e tij të sukseseve.
“Arritja që më bën më krenar është fitimi i vendit të tretë në kampionatin evropian për seniorë në vitin 2022. Kjo medalje është një nga momentet më të veçanta dhe më të mira që kam përjetuar gjatë karrierës time. Ky është një moment që më ka dhënë forcën të vazhdoj të luftoj dhe të besoj që pavarësisht sfidave”.
Aktualisht Shabani është profesor dhe në përfundim të Doktoratues për Edukim Fizik dhe Sport.
“Tash jam i 3ti i Evropës, jam Profesor dhe në përfundim të Doktoratures “Doktor shkence për Edukim Fizik, Sport dhe shëndet” dhe pjesën tjetër të jetës që më ka mbet ndihem shume krenar me veten”.
Qëllimet e tij për më tutje janë të vazhdoj punën si trajner në klubin e tij, ku të gjithë eksperiencën ta transmetoj tek sportistët e rinjë.
“Tani qëllimet e mia janë të vazhdoj si trajner në klubin tim, ku gjithë përvojën time dhe eksperiencën ta transmetoj tek të rinjtë, që ata të arrijnë suksese dhe benefite edhe me te mëdha se ato te miat”.
Karatisti Elhami Shabani, ka dhënë një këshillë të vlefshme për ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e sportit të karatës dhe të arrijnë sukses.
“Mos u dorëzohuni dhe punoni fort për atë që dëshironi.”
Ai theksoi se sukseset nuk vijnë menjëherë dhe se shumë të rinj bëhen të frustruar kur nuk shohin rezultate të shpejta.
“Nëse nuk shihni përparim brenda disa muajsh, mund të jeni tërhequr nga ideja e suksesit, por ky është një gabim,” tha Shabani.
Karatisti Elhami Shabani ka shprehur falënderimet e tij për mbështetjen dhe kujdesin që ka marrë gjatë karrierës së tij.
Ai ka falënderuar dhe ka ndarë mirënjohjen për babain e tij, i cili ka qenë një mbështetje e pakushtëzuar në çdo situatë.
Po ashtu, ai ka falënderuar trajnerët e tij, të cilët kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e tij si sportist, duke e udhëzuar në hapat e parë të karatës.
“Falënderim i veçantë i takon babait tim për kujdesin dhe mbështetjen e pa rezervë në të gjitha situatat e mia, gjithashtu i falënderoj të gjithë trajnerët e mi që kanë qenë me mua gjatë rrugëtimit tim në karate dhe që më kanë udhëzuar në hapat e parë të këtij sporti. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin tim si sportist”,përfundoi rrëfimin për “Front Online” karateisti Elhami Shabani.