Shteti i cili gjatë valës së parë të pandemisë u bë i njohur për mungesën e masave kufizuese, Suedia, të enjten shënoi rekord të numrit ditor të rasteve me COVID-19.
Gjatë 24 orëve të kaluara, shteti skandinav me qasje ndryshe ndaj koronavirusit regjistroi 4.034 raste të personave të infektuar për një ditë, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Kjo shifër ishte gjithashtu shumë më e lartë se rekordi i mëparshëm, i shënuar më 29 tetor, që ishte 3.254 raste për 24 orë.
Suedia vazhdimisht ka shënuar rekorde të rasteve ditore në javët e fundit, ndërsa edhe shifra e personave të hospitalizuar dhe të vdekur gjithashtu ka filluar të rritet.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe pesë viktima të reja, duke e çuar në 6.002 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga COVID-19.
Numri i viktimave të koronavirusit për 100 mijë banorë në Suedi është disa herë më e lartë se në vendet tjera skandinave, por më e ulët se në disa vende të mëdha evropiane, si Spanja dhe Britania e Madhe.