Pirja e më shumë se tre filxhanëve kafe me kafeinë në ditë është lidhur me elasticitetin më të mirë të mëlçisë, sipas rezultateve të një studimi të madh të botuar së fundmi në revistën profesionale Clinical Gastroenterology and Hepatology.
Studimi është ndoshta pasqyra më gjithëpërfshirëse e SHBA-së për përfitimet e konsumit të kafesë kur bëhet fjalë për shëndetin e mëlçisë. Analiza bazohet në të dhënat nga Anketa Kombëtare e Shëndetit dhe Ushqyerjes (NHANES), e cila u kërkoi pjesëmarrësve t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me zakonet e tyre të të ngrënit.
Nuk u gjet asnjë lidhje midis pirjes së kafesë dhe mëlçisë së yndyrshme
Më e rëndësishmja, në vitin 2017, NHANES përfshiu elastografinë (FibroScan) në studim, një ekzaminim të elasticitetit të mëlçisë së pjesëmarrësve, por jo për shkak të dyshimit për probleme të mundshme shëndetësore me atë organ, por si pjesë e një vlerësimi gjithëpërfshirës.
Dihet tashmë se elasticiteti i mëlçisë zvogëlohet gradualisht për shkak të fibrozës dhe depozitimit të yndyrës.
“Në studimin e kryer në vitin 2017 dhe 2018, morën pjesë 4500 subjekte të zgjedhur rastësisht që iu nënshtruan elastografisë (FibroScan). Pjesëmarrësit në studim ishin 20 vjeç e lart dhe mesatarja ishte 48 vjeç. 73 për qind e tyre ishin mbipeshë, që është afërsisht mesatare kombëtare”, tha drejtuesi i studimit Dr. Elliot Tapper, asistent profesor i gastroenterologjisë në Universitetin e Miçiganit.
Shkencëtarët nuk kanë gjetur një lidhje midis konsumimit të kafesë dhe mëlçisë së yndyrshme, por kanë gjetur një lidhje midis konsumimit të kafesë dhe elasticitetit të saj.
Shumë hepatologë në mbarë botën rekomandojnë kafe për pacientët e tyre
Tek njerëzit që pinin më shumë se tre filxhanë kafe në ditë, elastogrami ishte më i mirë. Por një efekt kaq i dobishëm i kafesë me kafeinë në elasticitetin e mëlçisë nuk është gjetur te njerëzit që kanë konsumuar kafe pa kafeinë, megjithëse një studim i mëparshëm britanik zbuloi një efekt parandalues të të dy llojeve të kësaj pije në zhvillimin e sëmundjeve kronike të mëlçisë./FrontOnline/