×
  • Opinione
  • Opinione

    Strasburg, vendim historik për klimën

    Xhezair Zaganjori
    17 Prill 2024

    Nga Xhezair Zaganjori:

    Pak ditë më parë, më 9 prill 2024, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDrNj), apo thënë ndryshe Gjykata e Strasburgut dha një vendim tepër të rëndësishëm për klimën. Bëhet fjalë për vendimin më kërkues “Verein KlimaSeniorinnen” e të tjerë kundër Zvicrës. Ky vendim me të drejtë po vlerësohet si historik, pasi përmes tij, kjo gjykatë jo vetëm që paralajmëron angazhimin e saj për t’u marrë në të ardhmen më seriozisht me këto probleme, por njëkohësisht u krijon mundësinë edhe gjykatave kombëtare të 46 shteteve anëtare palë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të trajtuar në mënyrë aktive ndryshimet e klimës. Vendimi prej 240 faqesh është me të vërtetë një model unik, që trajton në mënyrë shembullore koncepte të rëndësishme juridike nga fusha e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë artikull që i drejtohet një rrethi të gjerë lexuesish, do të përpiqemi të japin disa prej elementëve më sinjifikativë të tij.

    Në fakt, duke pasur parasysh se ndryshimet e klimës janë bërë dekadat e fundit tepër shqetësuese për të gjithë njerëzimin, veçanërisht efekti serë dhe rritja globale e temperaturës që vjen prej tij, pritej prej kohësh që Strasburgu të ndërhynte për të orientuar shtetet anëtare të ndërmarrin individualisht e bashkërisht masa sa më efektive në këtë drejtim, pavarësisht se në vetvete, këto çështje nuk lidheshin deri tani drejtpërsëdrejti me dispozitat e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pikërisht për këto arsye, GjEDrNj kishte kaluar për gjykim tri kërkesa individuale për çështjet e klimës, vendimet i të cilave u dhanë në të njëjtën ditë nga Dhoma e Madhe, me të njëjtin trupë gjykuese prej 17 gjyqtarësh, konkretisht për çështjet: a)Duarte Agostinho dhe të tjerë kundër Portugalisë; b)Careme kundër Francës; si dhe c) Verein KlimaSeniorinnen kundër Zvicrës.

    Pritej që çështja e parë kundër Portugalisë të shqyrtohej në thelb nga gjykata, pasi kërkuesit ishin gjashtë fëmijë e të rinj portugezë, që ankoheshin ndaj 33 shteteve europiane për mosmarrjen e masave efektive kundër ndryshimeve të klimës. Por, Gjykata e Strasburgut nuk pranoi t’i futej thelbit të kësaj kërkese, duke vënë në dukje ndër të tjera se thjesht përmes interpretimit, ajo nuk mund ta zgjeronte kaq shumë juridiksionin territorial të saj. Këtë qëndrim e argumenton duke theksuar se “Megjithëse çështjet e klimës janë fenomen global, secili shtet ka përgjegjësinë e tij individuale të marrë masat e duhura mbi këto probleme. Të pranosh argumentet e gjashtë kërkuesve portugezë do të thotë të shtrish pa kufi juridiksionin dhe përgjegjësinë e shteteve në të gjithë botën… Kjo do ta kthente Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në një traktat të përgjithshëm ndërkombëtar për ndryshimet e klimës…”.

    Ndaj, gjykata pranon se në këtë rast, parimisht mund të paditet vetëm Portugalia dhe jo edhe 32 shtetet e tjera. Megjithatë, në vijim, po për këtë çështje, gjykata duke mbajtur qëndrimin strikt tradicional të saj, vuri në dukje gjithashtu se edhe kjo pjesë e kërkesës nuk mund të pranohej, pasi gjashtë kërkuesit nuk mund të përjashtoheshin nga rregulli i përgjithshëm i ezaurimit të mjeteve të brendshme të ankimit, në një kohë që kuadri ligjor portugez u krijon realisht mundësinë për t’iu drejtuar individualisht për këto çështje gjykatave të vendit, gjë që vërtetohet edhe nga jurisprudenca e viteve të fundit e gjykatave portugeze.

    Kjo do të thotë se “…mosmarrëveshjet rreth çështjeve të klimës janë tashmë në Portugali një realitet i prekshëm në sistemin e brendshëm ligjor…”. Ajo e mbyll arsyetimin e saj duke theksuar se pikërisht përmes gjykimeve brenda vendit, kërkuesit do të mund të provonin gjithashtu edhe faktin e rëndësishëm se në çështjen konkrete kanë realisht ose jo statusin e viktimës, parashikuar shprehimisht si standard në nenin 34 të Konventës. Prandaj, sipas Dhomës së Madhe, normalisht një gjë e tillë nuk mund të bëhet direkt në Strasburg, pasi përveç cenimit të parimit të rëndësishëm të subsidiaritetit, një gjë e tillë do ta kthente GjEDrNj “..në një gjykatë të shkallës së parë. Aq më tepër që edhe po të donte ta bënte një gjë të tillë, asaj i mungojnë kapacitetet e duhura për gjykimin e numrit jashtëzakonisht të madh të kërkesave të kësaj natyre që mund të vinin pranë saj…”.

    Edhe për çështjen e dytë, Careme kundër Francës, Gjykata e Strasburgut nuk pranon t’i futet thelbit, pavarësisht se në këtë rast, kërkuesi si individ dhe si ish-kryetar i Bashkisë së qytetit bregdetar francez Grande-Sythe i kishte ezauruar mjetet e brendshme të ankimit, deri te Këshilli i Shtetit të Francës. Por në rastin konkret, ajo vë në dukje se kërkuesi nuk mund të legjitimohet individualisht t’i drejtohet Strasburgut pasi “… nuk provon qartësisht të ketë statusin e viktimës, aq më tepër që prej vitesh ai nuk jeton në Francë”.

    Vetëm në çështjen e tretë, Verein KlimaSeinorinnen kundër Zvicrës, Dhoma e Madhe pranoi t’i futet thelbit, duke e legjitimuar vetëm Shoqatën e Grave Pensioniste të Zvicrës t’i drejtohet GjEDrNj dhe jo edhe katër gratë pensioniste, që kishin paraqitur kërkesë veçmas nga shoqata, pasi edhe në këtë rast, sipas gjykatës, ato nuk provojnë se plotësojnë kriteret për të pasur statusin e viktimës. Shoqata po, pasi në statutin e saj ka si synim ndër të tjera mbrojtjen e shëndetit të grave të moshuara nga impakti negativ “gjithnjë e në rritje i valëve të të nxehtit”, në një kohë që sipas saj (shoqatës), legjislacioni zviceran në këtë drejtim është i pamjaftueshëm dhe masat e marra nga autoritetet shtetërore zvicerane nuk janë gjithashtu aspak efektive. Këto pretendime ishin rrëzuar nga gjykatat zvicerane, përfshi këtu edhe instancën e fundit të saj, Gjykatën Supreme Federale.

    Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të mësipërme lidhur me legjitimimin e kërkuesve në të tri çështjet, legjitimimi e Shoqatës së Grave Pensioniste për Klimën në çështjen e tretë i mjaftoi asaj (Dhomës së Madhe) që në vendimin e datës 9 prill të trajtojë gjerësisht problemet e ndryshimit të klimës. Sepse në fund të fundit, në thelb, pavarësisht individualitetit që ka natyrshëm çdo rast i veçantë, në të tria kërkesat e marra në shqyrtim nga Gjykata e Strasburgut ka vetëm një pretendim kryesor, që është reagimi i pamjaftueshëm i qeverive respektive për zvogëlimin progresiv të efektit serë, impakti i shumëfishtë negativ i së cilës cenon të drejta të caktuara të garantuara nga Konventa. Sipas të gjitha kërkesave të mësipërme, në planin kombëtar duhen marrë masa sa më efektive në këtë drejtim, duke bërë interpretim evolues të Konventës, bazuar në aktet më të fundit ndërkombëtare dhe arritjet e shkencës dhe të teknologjisë në këtë fushë.

    Në këtë kuadër, nga vendimi voluminoz i datës 9 prill 2024, i GjEDrNj për çështjen Verein KlimaSeniorinnen, mund të veçojmë:

    1)Rezulton se pretendimet kryesore të shoqatës janë tre: a) Politikat e pamjaftueshme klimatike të Zvicrës në drejtim të hartimit të kuadrit të plotë ligjor dhe të praktikave efektive në përputhje me standardet ndërkombëtare cenojnë rëndë të drejtën e jetës si dhe shëndetin e grave pensioniste, gjë që bie në kundërshtim me nenet 2 (e drejta e jetës) dhe 8 (jeta private dhe familjare) të Konventës. b)Rrëzimi i kërkesës në mënyrë të paargumentuar nga Gjykata Supreme Federale e Zvicrës cenon të drejtën e aksesit në gjykatë, garantuara nga neni 6/1 i Konventës. c)Dështimi i gjykatave zvicerane për t’i dhënë shoqatës përgjigje të plotë e përfundimtare cenon të drejtën për ankim efektiv, garantuar nga neni 13 i Konventës.

    2)Në kontekstin e ndryshimeve të klimës për paraqitjen e kërkesave individuale në bazë të nenit 34 të Konventës, duhet të konstatohen njëkohësisht dy elementë themelorë: a)Kërkuesi duhet të provojë se i është nënshtruar një intensiteti mjaft të lartë të pasojave negative që vijnë nga efektet e ndryshimit të klimës, pra duhet të ketë lidhje të qartë kauzale mes ndryshimeve të klimës dhe pasojave apo dëmeve konkrete që ka pësuar kërkuesi dhe b)Ekziston nevojë urgjente (pressing need) për mbrojtjen e të drejtave të kërkuesve, pasi masat e ndërmarra nga shteti janë të pamjaftueshme.

    Këto standarde duhet të zbatohen edhe për organizatat joqeveritare, të cilat luajnë rol tepër të rëndësishëm në këtë fushë, pasi ndryshimet e klimës janë problem i përbashkët e tepër shqetësues për të gjithë shoqërinë njerëzore. Në këto kushte, ndodhur përballë vendimmarrjes së përditshme e komplekse të mekanizmave shtetërorë, të cilat shpesh edhe në çështjet e klimës nisen nga interesat politike të çastit apo afatshkurtër, vetëm organizatat joqeveritare mbetet të jenë mjeti më i prekshëm dhe më efektiv për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Përmes tyre bëhet i mundur edhe realizimi i objektivave afatgjatë në këtë fushë. Kjo është veçanërisht e domosdoshme në çështjet e klimës, pasi nuk është aspak e drejtë që brezat e ardhshëm të mbajnë një barrë gjithnjë e më të rëndë të pasojave dhe të dështimeve aktuale në çështjet e klimës, në një kohë që vetë ata nuk kanë asnjë mundësi të marrin pjesë në vendimmarrjen e tanishme.

    3)Ka prova të mjaftueshme e të besueshme se ndryshimet e klimës kanë natyrë antropogjene (krijuar nga dora e njeriut), ndaj shtetet duhet të ndërgjegjësohen më shumë për këtë fakt dhe të marrin masa për t’i trajtuar këto probleme globale e komplekse në mënyrë gjithëpërfshirëse, afatgjatë dhe efektive. Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë paraqet ndarja proporcionale e detyrave dhe përgjegjësive për çështjet e klimës mes gjeneratave të tanishme e atyre që do të vijnë, përmendur më sipër. Synim kryesor duhet të jetë krijimi i një shoqërie që jeton në kushtet e një Neutraliteti me Klimën (Climate Neutrality), që do të thotë një shoqëri që eliminon tërësisht të gjithë faktorët që ndikojnë në ndryshimet e klimës, veçanërisht të gazit karbonik.

    4)Neni 8 i Konventës që garanton jetën private dhe familjare, përfshin në vetvete edhe të drejtën individuale për mbrojtjen efektive nga ana e autoriteteve shtetërore të individit prej efekteve të dëmshme e serioze të ndryshimit të klimës në jetën, shëndetin, mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tyre. Prandaj, shteti ka detyrimin pozitiv ta garantojë këtë të drejtë, duke miratuar e zbatuar efektivisht në praktikë ligje e masa të mjaftueshme, që të jenë në gjendje të zvogëlojnë sa më shumë në të ardhmen efektet e ndryshimit të klimës. Këto masa duhet të kenë natyrë afatgjatë, të paktën tri dekada, brenda së cilës duhet të realizohen detyra e objektiva të rëndësishëm, duke pasur parasysh edhe veçantitë apo hapësirën e vlerësimit që gëzon çdo shtet palë në Konventë. Por kjo hapësirë vlerësimi duhet të jetë shumë e kufizuar kur shteti shqyrton domosdoshmërinë e luftës kundër pasojave negative që vijnë nga ndryshimet e klimës, ndërsa ndërkaq, hapësira e vlerësimit duhet të jetë shumë e gjerë në rastet kur shteti zgjedh mjetet apo mënyrat që duhen zbatuar për zvogëlimin sa më shumë të pasojave që vijnë nga ky fenomen (ndryshimet e klimës). Pesë treguesit kryesorë që duhen marrë parasysh për të vlerësuar pozitivisht ose jo angazhimin e çdo shteti anëtar në këtë drejtim, janë:

    a)Evidentimi i masave individuale kryesore të marra në bazë të kuadrit ligjor të miratuar si dhe detyrimeve ndërkombëtare. Përmes këtyre masave duhet të bëhet e mundur arritja e synimit themelor, që është zvogëlimi i dukshëm i gazit karbonik. b)Përcaktimi i objektivave të çdo faze të ndërmjetme si dhe i masave për realizimin e secilës prej tyre. c)Serioziteti i angazhimit të autoriteteve shtetërore për arritjen e këtyre objektivave. d)Përcaktimi, ndryshimi apo përshtatja e kujdesshme e objektivave, në varësi të arritjes sa më mirë e sa më shpejt të qëllimeve kryesore, dhe e)Veprimi ose jo në kohë për miratimin e kuadrit ligjor respektiv si dhe i masave konkrete për zbatimin e urdhërimeve të tyre në praktikë.

    Duke pasur parasysh dhe duke analizuar pikërisht këto pesë standarde, Dhoma e Madhe arrin në përfundimin se Zvicra si shtet i paditur në rastin konkret, ka boshllëqe të theksuara në kuadrin ligjor rregullator si dhe dështim në marrjen e masave efektive në nivel kombëtar për zvogëlimin e efektit serë, me pasoja negative e serioze në jetën e përditshme. Prandaj vihet në dukje se në këtë mënyrë, Zvicra ka cenuar nenin 8 të Konventës. Po kështu, gjykata konstaton edhe shkelje të së drejtës së aksesit në gjykatë, si pjesë e nenit 6/1 të Konventës, pasi Gjykata Supreme Federale nuk u dha përgjigje pretendimeve, duke mos i marrë seriozisht në konsideratë të dhënat shkencore mbi ndryshimet e klimës të evidentuara me kujdes nga Shoqata kërkuese.

    Këto mendoj se janë shkurt disa nga risitë e vendimit të mësipërm të GjEDrNj mbi çështjet e ndryshimit të klimës. Duhet të ritheksoj se sa më sipër, në piken dy dhe tre, duhet vlerësuar në maksimum mundësia që u krijohet realisht organizatave joqeveritare të jenë sa më aktive në të ardhmen në çështjet e klimës, pavarësisht se kriteret për t’iu drejtuar Strasburgut nuk janë shumë të lehta. Por, ato duhet të marrin masat e duhura për t’i plotësuar ato, sepse vetëm kështu mund të jenë promotore të fuqishme për të ndërgjegjësuar e nxitur autoritetet shtetërore për miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor në fushën e ndryshimeve të klimës, në përputhje me urdhërimet kushtetuese e normat e së drejtës ndërkombëtare, e në veçanti me standardet që kërkohen nga Marrëveshja e Parisit mbi Klimën e vitit 2016. Po kështu, ato do të mund të ndjekin në vijimësi zbatimin konkret të masave shtetërore të domosdoshme në këtë fushë, përfshi këtu edhe objektivat afatgjata si dhe buxhetin respektiv që nevojitet në çdo fazë.

    Në pjesën e dytë të pikës dy dhe në pikën tre duhet të vlerësohet gjithashtu ideja e kontributit që mund të sillet veçanërisht nga organizatat joqeveritare, për të ndarë në mënyrë sa më të drejtë e proporcionale mes gjeneratave të tanishme dhe atyre që do të vijnë, përgjegjësinë dhe pasojat që vijnë për shkak të ndryshimeve të klimës. Me sa duket, në këtë rast është pasur parasysh edhe vendimi shumë i rëndësishëm i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë i 29 prillit 2021 mbi klimën, në të cilin, ndër të tjera thuhet se bazuar në Marrëveshjen e Parisit mbi Klimën të vitit 2016 dhe në nenin 20a të Kushtetutës gjermane, shteti gjerman duhet të marrë masa të fuqishme e të menjëhershme për zvogëlimin e efektit serë, sepse “Nuk duhet lejuar që gjeneratat e tanishme t’ua lënë barrën e marrjes se masave drastike për zvogëlimin e efektit serë gjeneratave që do të vijnë, aq më tepër që ky proces shoqërohet me humbjen thelbësore të lirisë… Sepse humbja e porcioneve të rëndësishme të lirisë së gjeneratave të ardhshme duhet të jetë proporcionale e në përputhje me të drejtën kushtetuese… Ndaj duhet të veprohet tani, me masa të qarta e konkrete, duke bërë parashikimet e duhura ligjore, sociale e buxhetore për një afat 30-vjeçar…”.

    Natyrisht që elementet më esencialë të vendimit jepen në pikën katër. Këtu theksohet deklarimi tepër i rëndësishëm i Gjykatës së Strasburgut se koncepti i jetës private dhe familjare garantuar nga neni 8 i Konventës, përfshin edhe detyrimin pozitiv të shtetit për mbrojtjen efektive të individit, në rastet kur ndryshimet e klimës cenojnë seriozisht jetën normale, shëndetin, mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tij. Dhe kjo lidhje e drejtpërdrejtë me nenin 8 të Konventës bëhet për herë të parë nga Gjykata e Strasburgut. Në këtë mënyrë, ky vendim i GjEDrNj tregon qartë se sistemi europian i të drejtave të njeriut është në gjendje të reagojë efektivisht kundër këtij kërcënimi të jashtëzakonshëm të të drejtave njerëzore në planin global. Kjo qasje e re dallon dukshëm nga rastet klasike mjedisore, siç janë ndotja e ambientit, vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga shkaqe të ndryshme natyrore, e të tjerë, për të cilat ekziston tashmë një jurisprudencë jo e pakët e Gjykatës së Strasburgut.

    Pikërisht për sa më sipër, përsërisim se vendimi i mësipërm mund të konsiderohet si historik. Padyshim që ai do të frymëzojë e orientojë edhe gjykatat kombëtare të shteteve anëtare në Këshillin e Europës, që përmes kërkesave individuale të angazhohen më shumë me çështjet e klimës, duke pasur parasysh standardet e vendosura nga GjEDrNj. Sigurisht që në këtë drejtim, ky vendim mund të ndikojë pozitivisht edhe jurisprudencën e gjykatave të tjera ndërkombëtare, e në mënyrë të veçantë në jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit apo edhe të mekanizmave rajonalë për mbrojtjen e të drejtave individuale në kontinentet e tjera të globit. – Fund

    Prince Espresso miku më i mirë i yjeve të Sunny Hill Festival
    Nga Rubrika
    Opinione17 Maj 2024
    Nga: Ben Andoni  Pakkush mund të mëdyshojë për aspektin e kuruar estetik, që kryeministri shqiptar Rama, e ka rrethuar me sukses pamjen...
    Opinione16 Maj 2024
    Shkruan: Ditmir Bushati Ashtu siç pritej zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut rikthyen në pushtet partinë konservatore VMRO-DPMNE. Ajo siguroi...
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Adri Nurellari Në botën tonë të trazuar, ku konfliktet dhe tensionet gjeopolitike shpesh dominojnë titujt e mediave, dialogu dhe përpjekjet për...
    Të tjera
    Lajme18 Maj 2024
    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë për Ekonomia Online se nuk janë të interesuar dhe nuk kanë as vullnet që...
    Lajme18 Maj 2024
    19 aksidente trafiku me të lënduar dhe 33 tjera me dëme materiale janë raportuar brenda 24 orëve. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar...
    Lajme18 Maj 2024
    Në rrugën Klinë-Gjakovë është shembur dheu, mëngjesin e sotëm. Mediat lokale kanë publikuar pamje, ku shihet se si është shkatërruar rruga dhe...
    Lajme18 Maj 2024
    Deputeti i Pavarur në Kuvendin e Kosovës dhe ish-zëvendës i kryeministrit Albin Kurti, Haki Abazi, për FrontOnline thotë se ministrja Donika Gërvalla...
    Vip18 Maj 2024
    Familja Salihu mbrëmë kishin festë. Kjo sepse Engji po i jep fund beqarisë. Në media po flitet se ajo po fejohet me...
    Lajme18 Maj 2024
    Policia e Kosovës ka raportuar se një burrë ka vdekur në Prizren, si pasojë e kontaktit me rrymën. Në raportit 24 orësh,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.