
Mijëra imigrantëve sirianë u është dhënë afat deri të martën, për t’u larguar në mënyrë vullnetare nga Stambolli.
Atyre u është thënë se nëse nuk largohen deri në këtë afat, do të dëbohen me forcë nga autoritetet.
Imigrantëve të paregjistruar, u është kërkuar që të kthehen në provincat ku janë regjistruar për herë të parë, si pjesë e një plani për ta liruar qytetin nga numri i madh i njerëzve të ardhur.
Megjithatë, disa sirianë i kanë thënë BBC-së se shumë njerëz po dërgohen në Idlib, në territorin e Sirisë, ku ende janë duke u zhvilluar luftime të ashpra.
Ata thonë se imigrantët po detyrohen të nënshkruajnë dokumente për kthim vullnetar, ndonëse ata nuk e kuptojnë gjuhën e atyre dokumenteve.
Urdhri për t’u larguar nga Stambolli është lëshuar në fund të korrikut dhe imigrantëve u ishte dhënë rreth një muaj afat për ta respektuar atë.
Që nga fillimi i luftës civile në Siri para tetë vjetësh, rreth 3.6 milionë sirianë janë vendosur në Turqi.