Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka sqaruar se kërkesa e tifozëve “Tigrat e zi” për të dhënë vlerësim rreth trajnerit të klubit nuk është e adresuar drejtë pasi nuk ka asnjë kompetencë në klub e as rreth klubit.
Kryetari Lladrovci ka bërë të ditur se asnjëherë nuk është implikuar në vendimet e klubit, as në zgjedhjet që i takojnë kryesisë.
“Unë, e kam përkrahur dhe do ta përkrah KF “Feronikeli” si kryetar i komunës, por, përkrahja nuk nënkupton asnjë lloj implikimi në punët e klubit, menaxhimit, emërimit apo shkarkimit të lojtarëve apo trajnerëve. Kam përkrahur çdo vendim të Kryesisë dhe Klubit për trajner apo për lojtar, pa koment, duke mos qenë asnjë herë pjesë e çfarëdo vendimmarrjeje”, ka thënë Lladrovci mes të tjerash.
Lladrovci ka theksuar se ka bërë gjithçka që ka mundur për të zhvilluar sportet në Drenas e në veçanti futbollin.
Më poshtë sqarimi i plotë:
Sqarim ndaj kërkesës së tifozëve “Tigrat e zi”
Dua të sqaroj se kërkesa e tifozëve, për të dhënë vlerësim rreth trajnerit të klubit, nuk është e adresuar drejtë, sepse, unë nuk kam asnjë kompetencë, as në klub, as rreth klubit.
Klubi ynë i zemrës “Feronikeli”, nuk është në gjendjen që kemi dashur të gjithë ne. Megjithatë, dua ta bëj të ditur se asnjë herë, nuk jam implikuar në vendimet e klubit, as në zgjedhjet apo situatat që i takojnë klubit, kryesisë apo vet kryetarit të klubit.
Unë dua të falënderoj nga zemra z. Naser Ramaj dhe të gjithë kryesinë e cila me vite po i prin klubit me sukses të madh. Ky sezon, nuk ishte më i miri, por, sporti i ka ngritjet dhe rëniet e veta, ashtu siç është edhe situata e pandemisë dhe vështirësitë që po e përcjellin futbollin në vend dhe në botë.
Unë, e kam përkrahur dhe do ta përkrah KF “Feronikeli” si kryetar i komunës, por, përkrahja nuk nënkupton asnjë lloj implikimi në punët e klubit, menaxhimit, emërimit apo shkarkimit të lojtarëve apo trajnerëve. Kam përkrahur çdo vendim të Kryesisë dhe Klubit për trajner apo për lojtar, pa koment, duke mos qenë asnjë herë pjesë e çfarëdo vendimmarrjeje.
Kam bërë të pamundurën për të krijuar kushte sa më të favorshme për sportet dhe futbollin në veçanti në komunën e Drenasit për stadiumin, fushat ndihmëse, për fushat e sportit nëpër qendrat e mëdha brenda komunës tonë e deri te subvencionimi i të gjitha sporteve, në pajtim me ligjin.
Ua bëj me dije tifozëve “Tigrat e zi” se as dje, as sot e as nesër, nuk do të implikohem në asnjë situatë rreth KF “Feronikeli”, por, gjithsesi, do të zhgënjehem shumë, nëse nuk do ta ketë situatën sa më të mirë në klub dhe pozitën sa më të mirë në tabelë.
Mbetem tifoz i flaktë i klubit tonë të zemrës “Feronikeli”, duke duartrokitur nga shkallët e stadiumit dhe duke dëshiruar pozitë sa më të lartë në tabelën e Superligës së Kosovës, me lojë të bukur futbolli, fer dhe sa më tërheqës për dashamirët dhe tifozët tonë në Drenas, në nivel nacional dhe ndërkombëtar.