Faqja në Facebook e Spitalit Rajonal të Gjilanit është mbyllur, pasi dje kjo faqe ka drejtuar kritika ndaj ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për mungesë të oksigjenit.
Për këtë ka reaguar Spitali i Gjilanit përmes një komunikate për media ku thonë se ky spital nuk posedon faqe zyrtare në rrjetet sociale.
“Spitali i Përgjithshëm në Gjilan, njofton të gjithë qytetarët se informatat që kanë qarkulluar në rrjetet sociale në emër të spitalit, nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk janë të vërteta. Spitali i Gjilanit nuk posedon faqe zyrtare në rrjetet sociale”, thuhet në reagimin e tyre.
Madje thuhet se nuk ka pasur as mungesë të oksigjenit për pacientët që po trajtohen për COVID-19.
Reagimi i plotë i Spitalit pa ndërhyrje:
Për shkak të sqarimit dhe informimit të drejtë për qytetarët e Gjilanit dhe Republikës së Kosovës, ne si institucion ju njoftojmë se në asnjë
moment nuk ka pasur mungesë në furnizim me oksigjen.
Stafi dhe menaxhmeti i spitalit vazhdimisht është i angazhuar për të kontribuar për shëndetin e pacienteve.
Kërkojmë nga mediat të jenë të kujdesshme në raportim dhe mos të plasojnë informata nga faqet që nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të institucionit.
Spitali i Gjilanit ka riorganizuar shërbimet, rastet urgjente trajtohen gjithmonë ne çdo kohë.
Duke qenë se institucioni ynë ofron vetëm shërbime të nivelit sekondar, rastet që vlerësohen si më të rënda nga ana e profesionistëve, referohen për trajtim të mëtejmë në QKUK.
Me respekt,
Spitali i Përgjithshëm- Gjilan