87 pacientë të infektuar me koronavirus janë të shtrirë në repartet e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, teksa 34 të tjerë po presin konfirmimin nëse janë pozitivë apo jo.
Me rritjen e numrit të rasteve janë tejkaluar edhe kapacitetet e Repartit të Infektives në Spital. Kjo ka bërë që edhe 6 reparte të tjera të shndërrohen në njësi për Covid, raporton koha.net.
Një situatë e tillë është bërë e papërballueshme për stafin që po trajton pacientët e infektuar.
“Me numrin e shtuar të rasteve edhe me shtretër jemi keq, edhe me çdo gjë tjetër jemi ngushtuar shumë. Numri i rasteve ka kaluar Repartin Infektiv, jemi edhe në 6 njësi të tjera, diku mbi 80 pacientë janë të shtrirë. Çdo ditë punohet 24 orë në ditë nga mjeku kujdestar. Ne të tjerët jemi dy doktorë, duhet ta mbulojmë ambulancën që tejkalon shifrat e vizitave ditore mbi 80, dhe mjeku që është në konsulta pa u ndalur fare në gjithë repartet e Spitalit të Përgjithshëm”, tha Mirvete Daku Kurteshi, shefe e Repartit të Infektives.
Problem për këtë spital është bërë edhe infektimi i stafit shëndetësor.
“Unë mund t’i informoj të gjithë që ne vërtet jemi para kolapsit, sepse mungon stafi, me 2-3 infektologë më së shumti 4 që kujdestarojnë çdo të katërtën ditë me punu 24 orë. Ne kemi me mbetë keq për personel edhe të mesëm, por edhe për doktorë, që është edhe më keq. Për vende gjithsesi jemi keq”, tha Daku Kurteshi.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Ukshin Ismaili, ka thënë për KOHËN se për shkak të rritjes së numrit të rasteve, repartet e Neurologjisë, Pulmologjisë, Reparti i URL-së, një pjesë e Internos, dhe Njësia Koronare Intensive janë shndërruar në qendra të trajtimit të pacientëve me Covid.
“Sot kemi pacientë të shtrirë në njësitë me Covid, janë 87 pacientë të shtrirë, ndërsa të konfirmuar pozitivë janë 51 pacientë. Fillimisht po lutemi dhe po kërkojmë që kjo lakore e kësaj vale të fillojë të bjerë, që të mos kemi nevojë që komplet spitalin ta shndërrojmë në spital Covid, por së paku të provojmë të menaxhojmë me këto njësi që i kemi”, tha Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Ukshin Ismaili.
Sipas Ismailit, nga 88 pjesëtarë shëndetësorë të prekur nga Covid-19, aktualisht 21 prej tyre janë raste aktive.
Kurse Beqir Azemi, i cili e ka nënën në një nga klinikat, ka thënë se problem për të paraqet mungesa e barnave e pajisjeve të tjera mjekësore.
“Krizën më të madhe e kemi që barna s’ka, krejt duhet m’i ble prej xhepit tonë. Krejt i kemi ble 80 euro në ditë, a mund t’i përballojë një njeri me rrogë të Kosovës. Deri në 200 euro më ka ra me pagu këtu. Analizat me pare, mjekët s’kanë faj se e kanë dhanë kontributin e tyre”, tha Azemi.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit problem kyç mbetet edhe sigurimi i oksigjenit. Në total, në tërë spitalin, 57 pacientë janë në oksigjenoterapi, kurse në shfrytëzim i kanë vetëm 5 burime qendrore të oksigjenit.