Më 11 nëntor, Komiteti për menaxhimin e situatës me Covid-19 në nivel të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, kishte vendosur që për shkak të pandemisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të ofrohen vetëm shërbime shëndetësore për rastet emergjente. Të gjithë ata persona që kanë nevojë për trajtim mjekësorë, por që nuk janë raste urgjente, nuk do të marrin shërbime shëndetësore në QKUK e spitale rajonale.
Institucionet publike shëndetësore në vend, ja kanë mbyllur dyert qytetarëve që kanë nevojë për trajtim shëndetësorë. Nëse gjendja e tyre nuk është e rëndë, atëherë ata nuk kanë se pse të nisen në spitalet rajonale e në QKUK. Zgjidhje e vetme u ka mbetur trajtimi në spitalet private.
Udhëheqës të spitaleve rajonale kanë bërë të ditur për Express se në bazë të vendimit të marrë nga Komiteti për menaxhimin e situatës me pandeminë, ata kanë ndalur programin elektiv.
Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë se programi elektiv është ndalur në spital, dhe se shërbimet joemergjente mund të mos ofrohen derisa të largohet virusi Covid-19.
Ndërsa, Hilmi Shala, drejtor i spitalit të Gjakovës, ka thënë për Express se të gjitha operacionet elektive janë ndalur në këtë spital.
Ai ka theksuar se këto raste nuk janë emergjente, andaj edhe do të presin.
Derisa shërbimet joemergjente shëndetësore janë ndërprerë, në disa nga klinikat e QKUK-së janë krijuar lista të pritjes.
Pacientët do të detyrohen të presin për më shumë se gjashtë muaj për tu operuar në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, derisa në lista të pritjes do të jenë edhe në klinikat tjera.
Kjo gjendje e krijuar, nuk po ju pëlqen as vetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e as atyre që janë pjesë e Qeverisë Hoti.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj është shprehur e shqetësuar për ndërprerjen e shërbimeve joemergjente shëndetësore në institucionet publike shëndetësore.
Ajo ka thënë për Express se duhet të gjendjet një alternativë që siguron kujdes dhe respektim të masave, por jo ndërprerje të shërbimeve.
“Duhet të ketë një alternativë, duhet të rritet infrastruktura spitalore, e të propozohen vende të posaçme ku mjekët të shkojnë të bëjnë këto vizita. Për që nuk ka ambient të mundshëm nuk do të thotë që të ndërprehen shërbimet sepse pacientët kanë nevojë për trajtime”, ka thënë ajo.
Reshitaj është shprehur se duke respektuar masat ndaj Covid-19, mund të shfrytëzohen edhe institucionet private, e po ashtu të provizohen spitale të përkohshme.