Mëngjesin e sotëm ka filluar nënshkrimi i kontratave të para të specializantëve të ri në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka pritur në takim grupin e parë të specializantëve të rinj, të cilët nënshkruan kontratat për fillimin e shkollimit specialistik.
“Nga sot i shtoheni armatës të mjekëve. Mos e harroni betimin e Hipokratit dhe sot nuk është ditë kur duhet të flet shumë ministri i Shëndetësisë, por specializantët”, u shpreh Zemaj.
“Janë specializantët e parë që po nënshkruajnë kontratat për të filluar një nivel tjetër të jetës së tyre profesionale. Është ky konkursi më i rëndësishëm. Mos e harroni betimin e Hipokratit dhe me ndershmëri t’i shërbeni qytetarit të Republikës të Kosovës dhe çdo pacienti që ka nevojë për ju. Rikujtojmë që konkursi për specializantë është hapur me 30 korrik dhe kemi shtuar numrin për specializantë prej 1 mijë e 34 në 1 mijë e 500”, tha ai.
Dijon Musliu, i cili nënshkroi kontratën për specializim në fushën e ortopedisë tha se ky është konkursi më i rëndësishëm ndër vite, pasi për 4 vite me radhë nuk ka pasur një të tillë.
“Unë për vete kam pritur një vit e gjysmë për specializim, ndërsa kolegë të mi kanë pritur edhe 4 vite e gjysmë. Kjo është padrejtësi më e madhe që ju ka ndodhur mjekëve të ri dhe shpreh që kjo padrejtësi të adresohet viteve të ardhshme”, tha ai.