Masat e reja anti-covid të vendosura nga Qeveria e Kosovës, e të cilat në shumë komuna kufizojnë lëvizjen e lirisë nga ora 19:00 e deri në ora 05:00 të mëngjesit, po kundërshtohen nga bizneset dhe qytetarët.
Për këtë arsye, “Zëri i Popullit” ka paralajmëruar një protest në shenjë pakënaqësie me masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
Protesta është thirrur përmes rrjeteve sociale dhe pritet të mbahet para objektit të Qeverisë së Kosovës, në orën 11:00.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi sot në ora 18:00.
Masat, sipas këtij vendimi të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.
Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.