Me 12 gusht të këtij viti u hap aplikimi për të përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.
E kërkesat e bizneseve, që duan t`iu kompensohet dëmi i shkaktuar nga pandemia, kanë qenë shumë të mëdha.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, për FrontOnline, ka treguar se kush do të përfitoj nga kjo masë dhe sa është shuma që do t’i marrin ata .
“ATK-ja ka përgjegjësi zbatimin e masës 1.1, 1.2 dhe 1.3 çka nënkupton që në masën 1.1 bëhet fjalë për personat të cilët e kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë, kjo kategori në bazë të këtyre kritereve përfiton shtesat për tre muaj nga 100 euro, masa 1.2 për mbështetjen e të punësuarve kjo është një shtyrje për të gjithë punëtorët të cilët nuk janë të deklaruar, t’iu ndihmoj që të deklarohen d.m.th t’u paguhen kontributet pensionale, kategoria që përfitojnë nga kjo masë subvencionimin e kanë për tre muaj nga 50 euro. E, në masën 1.3 bëhet fjalë për punësimin e grave ku kjo kategori do të subvencionet për tre muaj me nga 50 euro”, tha ajo për Front Online.
Bytyqi-Sefa, ka njoftuar se deri tani në Administratën Tatimore të Kosovës janë regjistruar dy mijë e 454 kërkesa me tetë mijë e 261 punëtorë vetëm nga aplikimi i punëdhënësve.
“Nga aplikimi i punëdhënësve në ATK janë regjistruar gjithsej dy mijë e 454 kërkesa me tetë mijë e 261 punëtorë”, tha ajo.
Bytyqi-Sefa ka bërë të ditur se numri i punëtorëve që kanë aplikuar personalisht vetëm për vetën e tyre është katër mijë e 886.
“Katër mijë e 886 kërkesa me katër mijë e 886 punëtorë kanë aplikuar deri më tani vetë punëtorët në ATK”, njoftoi Bytyqi-Sefa.
Ndryshe, afati i aplikimit për këto tri pikat është i hapur deri më 15 tetor në ora 24:00/FrontOnline