Në pasditën e sotme, do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së fundit për këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll.
Ky edicion që prodhoi spektakël, ngjarje interesante si dhe rivalitet, sot i vie fundi, shkruan FrontOnline.
Kampioni i Kosovës tashmë dihet dhe është Prishtina, e cila pas tetë vitesh e ka rikthyer “hyjneshën në fron”.
Gjithashtu, dihet edhe fakti që Besa e Pejës nga edicioni i ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë.
Nga ana tjetër, ende nuk është përcaktuar se kush do ta mbajë vendin e dytë në tabelë, vend i cili siguron pjesëmarrjen në UEFA Conference League.
Në garë për këtë vend janë Drita dhe Ballkani. Gjilanasit përballen me Arbërinë, kurse suharekasit me Prishtinën në “Fadil Vokrri”.
Sot do të përcaktohen edhe dy skuadrat që do të largohen nga elita, ku në garë të “nxehtë” janë Trepça ’89, Arbëria dhe Feronikeli.
Trepça’89 është momentalisht e parafundit, teksa sot takohet me Drenicën. Në pozitën e tetë gjendet ekipi nga Dobraja e Madhe e Lipjanit, Arbëria, e cila ka ndeshjen më të vështirë nga të gjithë, përballet me Dritën.
Feronikeli gjendet një pozitë më lart se Arbëria me një pikë më shumë, teksa sot përballet me fituesin e Kupës së Kosovës, Llapin.
Ndryshe, ndeshjet e sotme nisin nga ora 15:00./FrontOnline/