I pari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka e ka uruar Kosovën në përvjetorin e pestë të pranimit në UEFA.
Sot, pesë vjet më parë, Kosova u bë anëtare e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, me të drejta të barabarta, raporton FrontOnline.
Duka, i cili me FSHF-në ka kontribuar për pranimin e Kosovës, ka uruar kryetarin aktual të FFK-së, Agim Ademin.
https://www.facebook.com/PresidentiFutbollitShqiptare/posts/308712690626171
Urimi i plotë i Dukës në “Facebook”:
“Sot është një datë historike për futbollin kosovar dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. 5 vite më parë Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA gjatë Kongresit të 40-të, duke shënuar kështu një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare.
Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë.
Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdha përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht.
Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit.
Falenderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur.
Urime edhe një herë Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë ditë të shënuar!“./FrontOnline/