×
  • Lajme
  • Lajme

    Sorensen takon Bislimin, por Kosova ende s’ka Kuvend e as Qeveri

    FrontOnline
    24 Prill 2025

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar sot për një vizitë të shkurtër në Prishtinë. Kjo është një prej vizitave të para të tij në rajon që prej marrjes së detyrës si ndërmjetësues i BE-së më 1 shkurt 2025, duke zëvendësuar Miroslav Lajçak.

    Sorensen zhvilloi një takim me  ish zëvendëskryeministrin dhe njëherësh kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.

    Vizita e emisarit vjen në një periudhë të ndjeshme politike në vend, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka arritur ende të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, duke shkaktuar bllokim institucional dhe pasiguri për formimin e qeverisë së re.

    Dedaj: Pa Kuvend e Qeveri, s’ka kush bisedon me BE-në

    Vizita e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në Prishtinë është komentuar nga ish-ambasadori Gjergj Dedaj

    Sipas Dedajt, mungesa e institucioneve funksionale – si kryetari dhe kryesia e Kuvendit – pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, bën që vizita e Sorensenit të shihet më shumë si një vizitë kurtoazie gjysmë private sesa një ndërhyrje konkrete në procesin e dialogut.

    ‘’ Vizita e Emisarit të BE, z.Sorensen në Kosovë, mund të konsiderohet si një vizitë kurtoazije gjysmë private nga fakti që Kosova nuk ka institucione të konsoliduara, me mos zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit dhe betimit të deputetëve të zgjedhur në procesin zgjedhor të 9 shkurtit’’, tha Dedaj.

    Dedaj konsideron se nëse “Vetëvendosje” nuk është në gjendje të sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e institucioneve, duhet të lejojë partitë e tjera që të tentojnë formimin e qeverisë për të tejkaluar krizën dhe bllokadën aktuale, të cilën ai e cilëson si të dëmshme për vendin.

    ‘’Si pasojë e këtij sabotimi dhe ngërçi politik, me fajin e LVV si parti e parë e cila e ka për obligim të krijojë institucionet, nëse i ka numrat, në të kundërtën duhet të hapë rrugë për partitë ish opozitare që nëse munden t’ia tejkalojnë këtë krizë dhe shantazh politik të LVV, tejet e dëmshme për Kosovën’’, tha ish-ambasadori.

    Dedaj dyshon mbi legjitimitetin e Albin Kurtit dhe Besnik Bislimit për të përfaqësuar Kosovën në takime ndërkombëtare, duke theksuar se pa një Kuvend të konstituar dhe qeveri të re, ata nuk përfaqësojnë interesat shtetërore, por veprojnë vetëm si zyrtarë partiakë.

    ‘’Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputeti Albin Kurti dhe as vartësi i tij Besnik Bislimi nuk kanë asnjë legjitimitet dhe as mandat kushtetues të bisedojnë në emër të Kosovës dhe as të vendosin asgjë rreth bisedimeve me emisarin e BE dhe agjendën zyrtare politike të Kosovës, pos të bisedojnë si zyrtar partiak tē LVV, pa asnjë përgjegjësi as legjitimitet tjetër shtetëror’’, tha Dedaj.

    Dedaj gjithashtu paralajmëron se çdo veprim i ndërmarrë pas datës 23 mars 2025 në emër të institucioneve të Kosovës, pa një mandat të qartë kushtetues, përbën shkelje ligjore dhe vepër penale – një situatë që, sipas tij, po neglizhohet nga Kurti dhe siç I quan Dedaj ‘’vartësit’’ e tij

    ‘’ Keqpërdorimi antikushtetues i aseteve të Qeverisë së Kosovës, pas 23 marsit 2025,përbën shkelje ligjore dhe vepër penale, ndonëse kjo nuk paraqet problem për deputetin Albin Kurtin dhe ish vartësit e tij’’, përfundoi Dedaj.

     

    Arifi për vizitën e emisarit të BE-së: Vizitë për me thanë që dialogu është gjallë, por deri në vikend harrohet

    Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka komentuar vizitën e sotme të emisarit të BE-së, Peter Sorensen, duke e cilësuar atë si një veprim tërësisht simbolik dhe pa ndonjë peshë reale në situatën aktuale politike në vend.

    “Vizitën e emisarit të BE e shoh si vizitë për me thanë emisari që dialogu është gjallë, kurse Bislimi e Petkoviq me thanë që janë të përkushtuar për dialog – e deri në vikend me u harru kjo vizitë,” ka deklaruar Arifi.

    Ai ka shtuar se në mungesë të një qeverie funksionale në Kosovë, çdo angazhim për dialog mbetet thjesht formalitet. “Derisa të krijohet Qeveria, gjithçka është kurtuazi e kurgjo tjetër,” përfundoi ai.

    Spahiu: Dialogu ka përfunduar, tani mbetet vetëm zbatimi i marrëveshjes

    Analisti politik Nexhmedin Spahiu, ka komentuar vizitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, duke theksuar se nuk pret ndonjë zhvillim konkret nga kjo vizitë, përveç përgatitjeve për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.

    ‘’Nuk besoj se tani do të ketë ndonjë hap konkret për dialog përveçse përgatitjen për dialog, në fakt dialogu ka përfunduar si negocim rreth asaj rreth asaj se çfarë duhet të merret vesh Kosova dhe Serbia, sepse ato tashmë janë marre vësh dhe është negociuar se çka do të jetë statute i Asosacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe vetëm mbetet të implementohet kjo marrëveshje ‘’, ka deklaruar Spahiu.

    Sipas Spahiut, çështja kryesore tani është që të ndodhin hapa konkretë dhe të barabartë nga të dyja palët.

     “Duhet të ndodhin misione të përhershme diplomatike të Kosovës në Serbi dhe të Serbisë në Kosovë, që nënkupton një njohje në heshtje nga Serbia. Në këmbim, të realizohet një autonomi më e thellë për serbët në Kosovë përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe’’, deklaroi Spahiu.

    Në fund, Spahiu e përjashton mundësinë që vizita e emisarit Sorensen të jetë e lidhur me krizën politike në Kosovë

    “Nuk besoj se vizita lidhet me situatën aktuale, sepse shtetet kryesore sponsorizuese të pavarësisë së Kosovës kanë vendosur të mos përzihen në mënyrën se si do të formohet qeveria’’, përfundoi Spahiu

     

    Sadiku: Vizita e Sorensen nuk ishte e qëllimshme, nuk pres hapa pozitivë në dialog për shkak të bllokadës politike

    Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka komentuar vizitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, duke theksuar se kjo vizitë nuk ishte e qëllimshme dhe se nuk priten hapa konkretë në dialog.

    “Nuk mendoj se vizita e tij ishte e qëllimshme. Kjo mendoj ka qenë vetëm për të mbajtur orarin e vizitave që ai ka të planifikuara. Aktualisht, në këtë bllokadë politike, nuk ka hapa pozitivë në dialog,” tha Sadiku.

    Ai shtoi se vizita e emisarit nuk ka qenë shumë e rëndësishme  sepse  nëse situata do të ishte e ndryshme, do të ishte formuar tashmë qeveria dhe nuk do të ishte vonuar kaq shumë

     “Nuk besoj se është shumë e rëndësishme sepse përndryshe do ta formonin qeverinë e jo ta zgjatnin kaq shumë’’, tha për FrontOnline Sadiku.

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme14 Maj 2025
    Mediumi “Kallxo.com” ka publikuar një artikull, në të cilën zbulohet prapavija e investitorëve që fituan kontratën e Ministrisë së Bujqësisë për fabrikën e mbetjeve...
    Lajme14 Maj 2025
    Gjykata Themelore në Prizren, ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dy të pandehurve S.J., dhe D.B., pas...
    Lajme14 Maj 2025
    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, qëndroi sot në Poznan të Polonisë, ku me ftesë të organizatorëve mori pjesë në konferencën...
    Të tjera
    Lajme14 Maj 2025
    Nesër nga ora 10:30 do të mblidhen sërish deputetët e zgjedhur në tentativën e 16’të për ta konstituar kuvendin. Kuvendi e ka...
    Sport14 Maj 2025
    Sesa i rëndësishëm është, kjo dihet prej kohësh. Gjithsesi, Mirlind Daku ka arritur nivele ndikimi të pamenduara më parë tek Rubini në...
    Lajme14 Maj 2025
    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar...
    Lajme14 Maj 2025
    Pasditen e sotme, në varrezat e Dragodanit në Prishtinë, kanë nisur gërmimet për gjetjen e një trupi që dyshohet të jetë i...
    Lajme14 Maj 2025
    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në një takim ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave, në shtabin e KFOR-it,...
    Lajme14 Maj 2025
    Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Europian ë 16 maj do të mbledhë liderë nga i gjithë kontinenti në Tiranë të Shqipërisë....
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.