Sociologu Adem Shala ka komentuar mbi rëndësinë dhe ndikimin e “mjekësisë popullore” në shoqëritë moderne, duke e parë atë jo vetëm si një praktikë shëndetësore, por si një fenomen kulturor dhe social që ka ndikim të fuqishëm në identitetin dhe strukturën e komunitetit.
Shala thotë për FrontOnline se mjekësia popullore është e thellë e rrënjosur në shumë shoqëri dhe është një pjesë e pandashme e kulturës dhe traditave të këtyre komuniteteve. Këto praktika kalojnë brez pas brezi dhe shpesh mbartin një simbolikë të fuqishme përkatësie dhe identiteti.
‘’ Në shumë shoqëri, mjekësia popullore është thellësisht e rrënjosur në kulturë dhe traditë. Këto praktika shpesh transmetohen brez pas brezi dhe mbartin një simbolikë të përkatësisë’’, tha Shala për FrontOnline.
Në nivelin psikologjik, Shala thekson se besimi në mjekësinë popullore mund të krijojë një ndjenjë sigurie dhe optimizmi tek individët, e cila ka ndikim të dukshëm në perceptimin dhe përvojën e shëndetit. Disa individë, veçanërisht ata që kanë frikë nga efektet anësore të ilaçeve moderne, ndihen më të sigurt dhe të relaksuar duke përdorur metoda natyrale që përfshijnë përdorimin e bimëve dhe praktikave tradicionale
‘’ Sa i përket aspektit psikologjik, besimi tek mjekësia popullore mund të krijojë një ndjenjë sigurie dhe optimizmi, e cila shpesh ndikon pozitivisht në perceptimin e shëndetit. Disa individë kanë frikë nga efektet anësore të ilaçeve moderne dhe ndihen më të sigurt me metoda “natyrale.” Praktikat popullore ofrojnë një ndjenjë autonomie dhe lidhjeje me procesin e shërimit, duke u përqendruar tek individi’’, tha Shala.
Në përfundim, sociologu Adem Shala argumenton se kombinimi i faktorëve kulturorë, psikologjikë dhe socialë është ajo që ndihmon në ruajtjen e popullaritetit të mjekësisë popullore.
‘’Në përgjithësi, kombinimi i faktorëve kulturorë, psikologjikë dhe socialë ndikon në ruajtjen e popullaritetit të mjekësisë popullore’’, përfundoi Shala.
Mjekët apo “mjekët popullor”/ Kujt u besojnë më shumë kosovarët?