Janë shtuar polemikat midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës dhe kreut të opozitës, Lulzim Bashës lidhur me raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty mbi krimet që pretendon se i kryen anëtarë të UÇK-së, shkruan Gazeta Express.
Polemika filloi pasi Rama e ka pyetur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse kanë votuar pro këtij raporti që inkriminonte UÇK-në. Po kështu i ka kërkuar llogari edhe liderit të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Bashës “për sajesën e Shtëpisë së Verdhë”.
“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, shkroi Rama.
Në kundërpërgjigje, Basha përmes një postimi në Twitter i kërkoi Ramës që t’i lë lojërat politike dhe t’u japë përgjigje disa pyetjeve lidhur me situatën e shkaktuar nga COVID-19.
“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta?”, ka shkruar Basha.
E nëse Basha akuzoi sërish Ramën për keqmenaxhimin e pandemisë, kreu i qeverisë i kërkoi liderit të PD-së që të mos fshihet pas virusit dhe të përgjigjet për dosjen e Shtëpisë së Verdhë dhe për votën e partisë së tij dhe LSI për raportin e Dick Marty.
“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty”, ka shkruar kryeministri.
Ndërkaq kryedemokrati Basha e ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se nuk merret me situatën kritike që është krijuar në Shqipëri për shkak të pandemisë, por zgjedh të zhvendosë vëmendjen duke u bërë zëdhënës i Beogradit.
“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”, shkroi Basha në Twitter.
Polemika s’u ndal. Një tjetër status në rrjetet sociale ia ka kushtuar kryeministri Rama, Lulzim Bashës ku i bën sërish pyetje në lidhje me raportin e Dick Martyt dhe rolin e tij.
“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulēzim, thuaje të vërtetën”, shkroi Rama.
Raporti i Martyt është materiali me të cilin është vendosur baza e ngritjes së Dhomave të Specializuara në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.
Një gjyqtar i procedurës paraprake i kësaj gjykate, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ndaj shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimit.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjgjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.