Kombëtarja e Sllovakisë e ka nisur për mrekulli Kampionatin Evropian të futbollit “Euro2020”.
Sllovakia ka shënuar fitore 1-2 në ndeshjen e parë kundër Polonisë në Grupin E të Evropianit.
I pari që zhbllokoi shifrat ishte portieri polak, Szczesny që realizoi në portën e tij, ndodhi kjo në minutën e 18-të.
Polakëve iu doli gjumi vetëm 30 sekonda pasi nisi pjesa e dytë, me Linettyn që riktheu baraspeshën në “Gazprom Arena”.
Punët për Poloninë u komplikuan në minutën e 62-të kur Krychowiak u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, me ç’rast u përjashtua nga loja.
Pas vetëm tetë minutave, Sllovakia e riktheu epërsinë në favorin e saj me mbrojtësin e Interit, Milan Skriniar që “detyroi” Szczesnyn ta nxjerrte për herë të dytë topin nga porta e tij.
Sllovakia merr lidershipin në Grupin E të paktën deri në ora 21:00 kur Spanja dhe Suedia luajnë mesvete.