Anëtari i kryesisë së LDK-së, Skënder Hyseni, është deklaruar për herë të parë pas humbjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurt.
I pyetur në lidhje me arsyet e humbjes së thellë të LDK-së, ai deklaroi se nuk ka asgjë për të shtuar prej deklaratës që ka dhënë kryesia lidhur me këtë çështje.
“Ne jemi deklaru si Kryesi dhe unë jam pjesë e Kryesisë dhe s’kam çfarë t’i shtoj asaj që jemi deklaru”, tha ai për Blicin.
Hyseni, tutje, e bëri të qartë se nuk e synon postin e kryetarit të partisë.
“Jo, nuk kam asnjë ambicie të tillë për kryetar të LDK-së”, u shpreh shkurt Hyseni.
Ai tutje ka thënë se nuk ndryshonte asgjë sa i përket punës që ka bërë ndër vite me LDK-në dhe për LDK-në.
“Unë nuk do të ndryshoj asgjë në qasjen time ndaj LDK-së, do të punoj shumë si gjithmonë. Tek unë nuk ka patur as ngritje as rënie në përkushtimin tim për LDK-në dhe për punët në të” tha Hyseni.
Lidhja Demokratike e Kosovës mori rezultatin më të dobët që nga koha e Ibrahim Rugovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke u renditur subjekti i tretë politik me 13.08%.
Ndërsa vendin e parë e zuri Lëvizja Vetëvendosje me mbi 48% të votave dhe në vend të dytë u rendit PDK-ja.