×
  • Opinione
  • Opinione

    Skenarët e mundshëm për luftën në Ukrainë

    Owen Matthews
    26 Prill 2025

    Burimi: The Daily Telegraph (titulli origjinal: Ukraine needs to give up on joining Nato)

    Sipas Donald Trumpit, kjo mund të jetë java kur përfundon lufta në Ukrainë. “Shpresoj që, këtë javë, Rusia dhe Ukraina do të arrijnë një marrëveshje”, shkroi Trump në Truth Social. “Të dyja vendet më pas do të fillojnë të bëjnë biznes të madh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë në lulëzim, dhe do të fitojnë pasuri”!

    Detajet e një armëpushimi – ose “marrëveshjes”, siç preferon ta quajë Trumpi – do të diskutohen në Londër këtë javë, ndërsa negociatorët kryesorë të Trumpit do të takohen me zyrtarë ukrainas dhe evropianë.

    Çfarë ka saktësisht në tryezën e bisedimeve, mbetet zyrtarisht sekret. Por, disa detaje kyçe janë zbuluar përmes rrjedhjeve në media dhe intervistave me Steve Witkoffin, investitor në pasuri të paluajtshme – dhe aleat i Trumpit – i cili ishte në Shën Petersburg, më herët këtë muaj, duke negociuar me Putinin.

    Një pikë kyçe është se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është më një mundësi. Një tjetër është se Rusia kërkon që Kievi të njohë zyrtarisht Krimenë e aneksuar nga Moska në vitin 2014, si një territor rus.

    A janë të dy këto kërkesa shkelje të rënda të sovranitetit të Ukrainës? Pa dyshim. Ato janë gjithashtu politikisht vetëvrasëse për Volodymyr Zelenskyn.

    Por, është me rëndësi të kthejmë pyetjen përmbys: A ka Ukraina ndonjë rrugë praktike ushtarake apo diplomatike për ta rimarrë Krimenë? Apo, a ka ndonjë shans real që Kievi të anëtarësohet plotësisht në NATO, pavarësisht kundërshtimeve të forta të shumë shteteve kyçe të aleancës?

    Përgjigjja për të dyja pyetjet është jo. Në terma praktikë, duke pranuar statusin e ri sovran të Krimesë ose duke u shpallur zyrtarisht neutrale, Ukraina nuk humbet asgjë që nuk ka humbur tashmë.

    Për më tepër, të paktën tre nga negociatorët ukrainas në raundin e fundit të bisedimeve për paqe, ballë për ballë ndërmjet Moskës dhe Kievit në Stamboll, në mars të vitit 2022, kanë deklaruar publikisht se pala e tyre ishte e gatshme të pranonte neutralitetin – pra, jo anëtarësim në NATO – si dhe të linte statusin përfundimtar të Krimesë për diskutim në një fazë të mëvonshme.

    Me fjalë të tjera, Kievi ishte i gatshëm të hiqte dorë si nga Krimea, ashtu edhe nga NATO që në muajin e parë të pushtimit të Putinit.

    Megjithatë, ka një rrethanë tjetër këtu: Çfarëdo që Zelensky ishte apo nuk ishte i gatshëm të pranonte në Stamboll, më 2022, në këmbim kërkohej tërheqja e plotë të trupave ruse. Një tërheqje e tillë nuk është më fare në tryezë.

    Në të vërtetë, Witkoffi ka lënë të kuptohet se Rusia vazhdon të kërkojë kontroll të plotë mbi të katër provincat që aneksoi njëanshmërisht në Federatën Ruse në shtator të vitit 2022 – Donjeck, Luhansk, Zaporizhia dhe Herson. Kjo do të nënkuptonte që Zelensky të dorëzonte vullnetarisht edhe më shumë territor te pushtuesi – një tjetër pamundësi e qartë politike.

    Qëndrimi i pandryshueshëm i Kremlinit dhe mbështetja e dukshme e Uashingtonit për këtë vijë të ashpër shtron dy pyetje. E para është nëse Putini dëshiron vërtet që bisedimet për paqe të kenë sukses.

    E dyta është nëse Trumpi ka ndonjë vullnet për ta detyruar Putinin të bëjë ndonjë lëshim – për shembull, siç ka kërcënuar më parë, me vendosjen e sanksioneve dytësore ndaj vendeve që importojnë naftë ruse, një veprim që do ta godiste në thelb ekonominë e luftës së Kremlinit.

    Premtimi që Putini nuk mbajti për një armëpushim gjatë Pashkëve – një marrëveshje që trupat e tij e shkelën qindra herë – sugjeron se ofertat e tij për paqe janë një mashtrim.

    Kremlini duket se beson se koha është në anën e Rusisë, dhe se sa më shumë të zgjasin sulmet tokësore dhe bombardimet ajrore, aq më e dobët do të bëhet Ukraina. Putini duket më i interesuar që ta vendosë mbi Ukrainën fajin për dështimin e bisedimeve.

    Sa për ShBA-në, ka shenja të forta se ekipi i Trumpit tashmë ka negociuar një marrëveshje të pranueshme për Kremlinin dhe tani po përpiqet t’ua imponojë ato kushte të rënda Ukrainës dhe aleatëve të saj të mbetur evropianë.

    Fakti se kërkesat që Trumpi po paraqet në emër të Kremlinit barazohen me rishkrimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Evropës, me urdhër të një diktatori agresiv, duket se nuk ka ndonjë rëndësi.

    Trumpi dikur premtoi një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë. Por, mburrja e tij është përplasur me objektin e palëvizshëm të kokëfortësisë së Putinit. Reagimi i tij duket se është të pranojë të gjitha kërkesat e Putinit – dhe më pas të largohet nga bisedimet kur Ukraina dhe Evropa i refuzojnë ato.

    “Unë u përpoqa të sjell paqe”, do të thotë ai, “dhe, për më tepër, t’ju bëja të pasur”. Në këtë mënyrë, Trumpi mund të lajë veten si nga dështimi i marrëveshjes së tij të bukur ashtu edhe nga gjakderdhja që me siguri do të pasojë. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione15 Maj 2025
    Shkruan: Blerim Shala Edhe pse jemi në fillim të muajit maj, apo, nuk kemi mbërri as në fund të gjysmës së parë...
    Opinione14 Maj 2025
    Nga: Aneta Wolter Gjermania ka formuar qeverinë e re. Shqipëria, në javët që vijnë, do gjendet përpara të njëjtit hap, një proces...
    Opinione13 Maj 2025
    Nga: Fatos Çoçoli Pavarësisht nga partia fituese në zgjedhjet e djeshme, në tërësi, qetësia dhe qytetaria me të cilën mbi 1.4 milionë...
    Të tjera
    Lajme15 Maj 2025
    Deputeti i PDK-së Altin Krasniqi, që është djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka thënë se harresat e shtetit ndaj çlirimtare që sot...
    Vip15 Maj 2025
    Andi Carlisle, gazetar nga Zvicra, e ka komentuar performancën e Shqipërisë në Eurovizion, e cila u kualifikuar për në finalen e madhe....
    Lajme15 Maj 2025
    Partia Demokratike e Kosovës ka thirrë konferencë për media për ditën e premte. Konferenca do të mbahet në Selinë Qendrore të kësaj...
    Vip15 Maj 2025
    Këngëtarja e njohur, Rina Balaj sot ka ndarë më ndjekësit e saj një fotografi, ku ka thënë se është duke fjetur. Përmes...
    Bota/Rajoni15 Maj 2025
    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e KiE, Antonio Costa, i cili ka ardhur...
    Bota/Rajoni15 Maj 2025
    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Rutte...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.