×
  • Sport
  • Sport

    Skandaloze: Serbët organizojnë “Kupën e Kosovës dhe Metohisë” në futboll

    FrontOnline
    20 Maj 2021

    Pasi kanë nisur me krijimin e seleksioneve të “Kosovës e Metohisë”, serbët kanë nisur edhe me garën e “Kupës së Kosovës e Metohisë” në futboll. Kjo vlerësohet tjetër goditje për futbollin kosovar dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. Në këtë garë po marrin pjesë ekipe serbe nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

    Finalja e Kupës së Kosovës në futboll është luajtur javën e kaluar. U përballën Llapi i Podujevës dhe Dukagjini i Klinës. Ndeshja ishte dramatike dhe u fitua nga Llapi me penallti.Kaq sa u takon garave zyrtare, përkatësisht atyre që i organizon Federata e Futbollit e Kosovës.

    Ndërkohë, në territorin e Kosovës ka nisur një garë tjetër për Kupë. Bëhet fjalë për një garë ilegale, të cilën e organizon e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës e Metohisë”. Është kjo një organizatë që funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë.

    Në Kosovë është ilegale, por po sfidon fuqishëm FFK-në, si të vetmen organizatë që ka të drejtë të organizojë gara të futbollit në territorin e shtetit. E ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës e Metohisë” ka nën ombrellë klubet e komunitetit serb nga territori i Kosovës, që bëjnë gara në sistemin garues të Federatës së Serbisë. Deri vonë, klubet serbe nga territori i Kosovës kanë garuar vetëm në ligat e Serbisë që kanë shtrirje edhe në Kosovë.

    Por, organizata ilegale ka bërë hapa tutje. Kohë më parë ka formuar seleksione të “Kosovës e Metohisë” për grupmosha të reja dhe ka paralajmëruar krijimin edhe të seleksionit të seniorëve. Pra, një lloj përfaqësuese të Kosovës për serbët.

    Nuk është ndalur me kaq.

    Së fundi, kanë nisur edhe garat e “Kupës së Kosovës e Metohisë”. Garat e Kupës kryesisht organizohen për një vend apo një territor të caktuar. Dhe ky organizim i ri vlerësohet goditje ndaj futbollit kosovar dhe shtetit të Kosovës në përgjithësi.

    “Ashtu si është paralajmëruar në periudhën e kaluar, tani edhe zyrtarisht ka nisur zhvillimi i Kupës unike të Kosovës e Metohisë. Janë tërhequr çiftet dhe menjëherë pas shortit e kemi kuptuar se do të kemi ndeshje interesante në renditje”, ka njoftuar e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës e Metohisë”.

    Në fazën e parë të kësaj gare janë takuar Mokra Gora e Zubin Potokut dhe “Trepça” e Mitrovicës. Bëhet fjalë për klubin e serbëve “Trepça”, që vazhdon funksionimin ilegal. Ndeshja tjetër e fazës së parë ishte ajo në mes të Radniçkit të Hoçës së Madhe dhe Graçanicës. Pra, gara ka shtrirje në pjesë të ndryshme të Kosovës, jo vetëm në veri.

    Sipas njoftimit, Mokra Gora e ka mposhtur “Trepçën” 4:0. Kurse Radniçki e ka mposhtur Graçanicën 2:1.

    “Me përfundimin e këtyre ndeshjeve i kemi mësuar edhe çerekfinalistët e fundit. Çerekfinalet ishin: Radniçki (Hoça e Madhe) – Mokra Gora, Polet 1980 (Llapnasellë) – Ibar (Leposaviq), Gracko (Gracë) – Mineralac (Kllokot), DIF (Mitrovicë e Veriut) – Rudar (Mitrovicë e Veriut)”, vazhdon njoftimi i organizatës ilegale.

    Tashmë, sipas njoftimit, janë luajtur edhe ndeshjet çerekfinale. Kanë fituar skuadrat Dif, Mokra Gora, Gracko dhe Ibar.

    Për ndeshjen në Hoçë të Madhe është njoftuar të ketë qenë festë futbolli, për shkak të vizitës së Mokra Gorës, që fitoi 9:3. Ndeshjes i kanë dhënë edhe ngjyrim nacional. Në fushë ishte shfaqur edhe flamuri i Serbisë.

    “Për këtë ndeshje duhet të themi që rezultati ishte në plan të dytë. Mbi të gjitha, vetëm ardhja e Mokra Gorës në Hoçën e Madhe ka paraqitur kënaqësi të vërtetë për të gjithë adhuruesit e futbollit në Metohi. Ekipi i Mokra Gorës me udhëheqësit, shtabin teknik dhe lojtarët erdhën në Hoçë të Madhe për ta siguruar gjysmëfinalen e Kupës, por mbi të gjitha për t’i treguar popullit tonë në Hoçë të Madhe që nuk janë harruar dhe nuk do të harrohen asnjëherë”, ka njoftuar “Federata e Futbollit e Kosovës e Metohisë”.

    Deri më tani, shteti i Kosovës nuk ka mundur t’i ndalojë aktivitetet e federatave sportive të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje, të paktën në futboll, ato po shtohen. Ka pasur përpjekje të federatave kosovare që përmes asociacioneve ndërkombëtare të sportit t’i ndalojnë aktivitetet e Serbisë në territorin e Kosovës. Ka pasur suksese në pak raste, por garat e aktivitetet kanë vazhduar. Ndërkohë, disa ekipe sportive nga Serbia janë ndaluar që të futen në territorin e Kosovës, por vetëm kohë pas kohe.

    Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, kohë më parë, FFK-ja u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të përfshihen në gara zyrtare në Kosovë. Por, nuk ka ndonjë plan apo ide se si të ndalohen aktivitetet e Serbisë në Kosovë.

    Në fakt, shteti i Kosovës ende nuk e shtrin autoritetin në të gjithë territorin dhe kjo po reflektohet edhe në sport.

    “Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, derisa FFK-ja është anëtare me të drejta të plota në UEFA e FIFA që nga viti 2016. Ekipet tona kombëtare dhe klubet marrin pjesë në të gjitha garat zyrtare ndërkombëtare tash e pesë vjet. FFK vazhdimisht u ka bërë thirrje serbëve lokalë që t’i kthehen realitetit dhe të ardhmen e tyre në futboll ta ndërtojnë duke qenë pjesë e garave zyrtare të FFK-së. Ne, si organi i vetëm legjitim për organizimin e garave në futboll në Republikën e Kosovës, përkujdesemi që t’u krijojmë mundësi të barabarta për zhvillim të futbollit të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin. Ata, siç janë duke vepruar tani, po e dëmtojnë veten. Sidoqoftë, duhet ta dinë se perspektiva e tyre është në Kosovë dhe ne presim që të reflektojnë sa më parë, në mënyrë që të mos humbin kohë me improvizime të tilla”, thuhet në përgjigjen e FFK-së.

    Me ritmin aktual, shpejt do të luhet finalja e “Kupës së Kosovës e Metohisë” në futboll. Institucionet, me shumë mundësi, do të mjaftohen me një deklaratë për dënim të aktivitetit ilegal./Koha/

    Nga Rubrika
    Sport16 Nëntor 2024
    Benjamin Imeri ka vazhduar serinë perfekte në boksin profesionist, duke fituar edhe duelin e shtatë në karrierë. Imeri kishte premtuar para përballjes...
    Sport16 Nëntor 2024
    Shqipëria ka luajtur baras me rezultat 0-0 në ‘Air Albania’ ndaj Çekisë, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë nuk e...
    Sport16 Nëntor 2024
    Ka përfunduar me rezultat të barabartë 0-0 pjesa e parë në takimin mes Shqipërisë dhe Çekisë që po luhet në kuadër të...
    Të tjera
    Bota/Rajoni17 Nëntor 2024
    Sot bëhen 80 vjet që kur u çlirua kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Për këtë ditë, ka shkruar edhe kryeministri i vendit, Edi...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i AAK-së njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, e konsideron mashtrim populist, premtimin...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Një grua në Malishevë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. E njëjta pasi ka pranuar tretman mjekësor me dëshirën...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Një i mitur në Kaçanik ka kërcënuar me thikë një grua. Sipas policisë, kjo rrodhi pasi djali i gruas ditë më parë...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Një gazetar është ankuar në polici, i cili përderisa ishte në emision televiziv, u kërcënua përmes telefonit. Policia ka njoftuar prokurorin, ndërsa...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Që prej përfundimit të Zgjedhjeve Lokale 2021 dhe deri në muajin gusht të vitit 2024, rreth 40 mijë emra të personave të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.