Gjatë ditës së mërkurë Kosova u trondit nga një lajmë për transferim të paligjshëm të mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Këto para u “avulluan” nga disa zyrtarë të Ministrisë së Financave.
Mirëpo vjedhje të llojit të tillë në Kosovë kanë ndodhur edhe më herët.
Gjatë vitit 2016-2017 nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, që e drejtonte Imet Rrahmani i LDK-së, ishin zhdukur rreth 400 mijë euro.
Për këtë rast ishin pezulluar nga puna disa zyrtarë të financave në Ministrinë e Shëndetësisë të cilët ishin akuzuar se kanë keqpërdorur fondin e avancave që jepen për udhëtime zyrtare.
Po ashtu ishte suspenduar nga puna edhe shefi i Divizionit për Financa në Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.
Ndërsa një skandal tjetër që kishte tronditur vendin ishte edhe vjedhja në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë, në vitin 2009.
Në Dhomën e Dëshmive në Pejë ishin vjedhur 25 kilogram ari, 47 kilogram heroinë, 25 mijë euro, 520 Rupi indian, 6.500.000 Lira turke, 5.000 Lej rumune, 950 Lekë shqiptar dhe më e rëndësishmja dyshohet se ishin shkartuar shumë dëshmi të akteve kriminale që kishin ndodhur në regjionin e Pejës.
Krejt kjo ishte pasuar me një proces shumë të gjatë hetimesh vendore e ndërkombëtare por e vërteta nuk është zbardhur kurrë.
Në fillim të vitit 2020 një skandal tjetër ishte raportuar se kishte ndodhur edhe në stacionin policor në Zubin Potok, ku ishte kryer një vjedhje në Dhomën e Dëshmive.
Atje ishin vjedhur armë të shkurta e të gjata. Këtë dyshohet se e kishte kryer një polic i nacionalitetit serb i cili kishte ikur më pas për në Bosnje.