
Komuna e Ferizajt, e drejtuar nga kryetari Agim Aliu, ka shpallur fitues të tenderit për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve komunale konsorciumin International Security AAH SH.P.K.; ELRON SH.P.K.; SKYFTERAT – LIVE SH.P.K., me vlerë kontrate prej 1 milionë e 839 mijë euro.
Por, sipas dokumenteve të siguruara nga portali Front Online, në këtë procedurë prokurimi kishte marrë pjesë edhe një konsorcium tjetër, oferta e të cilit ishte rreth 615 mijë euro më e lirë sesa kompania tashmë e rekomanduar për kontratë.
Ky dallim i madh në çmim e bën rastin veçanërisht të ndjeshëm, pasi në prokurimin publik kriter themelor është pikërisht oferta më ekonomike e përgjegjshme dhe përdorimi sa më efikas i parasë publike, raporton Front Online

Dokument 1: Vendimi i komunës, pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit
Tenderi ishte anuluar: Të dy konsorciumet u cilësuan të papërgjegjshme
Dokumentet tregojnë se fillimisht Komuna e Ferizajt kishte marrë vendim për anulimin e plotë të tenderit, pasi komisioni vlerësues kishte konkluduar se të dyja konsorciumet në garë janë të papërgjegjshme dhe nuk i përmbushin kriteret e kërkuara në dosjen e tenderit.
Pra, në fazën e parë të procesit, komuna kishte konsideruar se asnjë ofertë nuk ishte e pranueshme për kontratë.

Dokumenti 2: Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit
Pas këtij vendimi, njëra nga kompanitë ka ushtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion që në opinion njihet si “Gjykata e tenderëve”.
Dokumentet zbulojnë një element shumë interesant:
eksperti shqyrtues i OSHP-së kishte mbështetur vendimin e komunës, duke vlerësuar se arsyet për eliminimin dhe anulimin e procedurës ishin të bazuara.
Megjithatë, paneli vendimmarrës i OSHP-së ka dalë me një përfundim krejt tjetër.
Vendimi i OSHP-së në kundërshtim me komunën dhe ekspertin
Në vendimin final, paneli i OSHP-së ka konstatuar se operatori ekonomik ankues kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve dhe se procedura duhet të rikthehej në rivlerësim. Pas këtij vendimi, OSHP-ja ka urdhëruar Komunën e Ferizajt që procesin e prokurimit ta kthejë në rivlerësim, duke e obliguar institucionin të veprojë sipas konstatimeve të panelit.

Dokumenti 3: Raporti i ekspertit të OSHP-së
Nga “i papërgjegjshëm” në fitues të kontratës milionëshe
Pas rivlerësimit të procedurës, Komuna e Ferizajt ka shpallur fitues pikërisht konsorciumin që më herët e kishte cilësuar të papërgjegjshëm, duke i dhënë kontratën prej 1.839 milionë euro. Ky zhvillim tregon një përmbysje të plotë të qëndrimit fillestar të komunës, që erdhi si rezultat i ndërhyrjes së OSHP-së. / Front Online /