Përkundër deklarimeve që vendi këtë muaj do të furnizohet me 100 mijë e 800 vaksina kundër COVID-19 nga COVAX, një gjë e tillë pritet të bëhet me vonesë. Express mëson se Kosova nuk është në listën e shteteve të para që do të furnizohet me këto vaksina.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte deklaruar se gjatë muajit shkurt Kosova do të furnizohet me vaksinat kundër COVID-19 nga COVAX.
Përkundër që jemi në fund të muajit shkurt, Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës.
Express ka mësuar se Kosova nuk është përfshirë në shtetet të cilat do të furnizohen këtë muaj me vaksina.
Furnizimi do të bëhet gjatë muajit mars, por ka gjasa që as në fillim të këtij muaji të mos marrim asnjë dozë të vaksinës.
Zëdhënës në Aleancën e Vaksinave Gavi, kanë bërë të ditur për Express se COVAX po parashikon që pjesa më e madhe e raundit të parë të furnizimit të bëhet në muajin mars.
Nga kjo aleancë kanë thënë se disa dërgesa në shtetet që kanë përmbushur kriteret do të bëhen në fund të muajit shkurt.
“COVAX parashikon që pjesa më e madhe e raundit të parë të dërgesave të bëhet në mars, me disa dërgesa të hershme për ata që kanë përmbushur tashmë kriteret e përshkruara në deklaratën tonë të përbashkët, që do të bëhen në fund të shkurtit. Më shumë informacione në lidhje me këto dërgesa të para do t’u komunikohen të gjithë pjesëmarrësve dhe do të publikohen në internet këtë javë”, është bërë e ditur për gazetën.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione për furnizimin me vaksina, ndonëse ditë më parë i kanë thënë gazetës se UNICEF ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX do të marrin informata në lidhje me hapat e ardhshmen dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës.
Ndërsa, as për vaksinën e Pfizer-it, institucionet në vend nuk kanë ndonjë konfirmim se kur mund të bëhet furnizimi me vaksina.
Për dallim nga shumë shtete tjera të cilat tashmë kanë filluar edhe vaksinimin e popullsisë, Kosova ende nuk ka marrë as edhe një dozë të vaksinës.
Deri tani në vend janë infektuar me koronavirus 67 mijë e 8 persona.