Me targa origjinale të veturës erdhi në Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Por prej këtu, Bajram Kamenica, doli me disa të tjera në duar.
Tabelat e quajtura “prova” ishin të vetmet që ia ofruan atij në agjenci kur shkoi për të bërë të mërkurën ndërrimin e tabelave aktuale.
Në mungesë të atyre origjinale, ky edhe i pranoi ato përkohësisht. Por thotë se do t`i sjellin një telash.
“Me këto nuk po mundemi me dalë askund. As në Maqedoni e as në Shqipëri”, u shpreh ai.
Fatin e njëjtë e kishte edhe një qytetar tjetër.
“Më thanë që të lajmërohem për me i marrë tabelat origjinale. Na thanë shikoni mjetet e informimit ju njoftojna se kur është e gatshme ministria me na furnizu me tabela të reja”, tregoi qytetari Agron Boshnjaku.
Problemi i pajisjes me targa të veturave është evident tash e një muaj.
E kjo, sipas avokatit Arianit Koci, po rrezikon edhe punën e disa kompanive.
“Përndryshe, kishte kompani që janë në prag të falimentimit, për shkak që nuk po munden t’a kryejnë transportin e mallit”, shkroi ai në Facebook.
Se kur do të marrë fund kjo vonesë nuk dihet, meqë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që është përgjegjëse për furnizimin me to, nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës, pavarësisht interesimit të Front Online.
Me situata të ngjashme qytetarët janë ballafaquar edhe vitin e kaluar.