Pas njoftimit të masave të reja për parandalimin e transmetimit të koronavirusit nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (SHGK).
Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në Facebook, ‘SHGK’ ka thënë se kundërshton masat e reja, si dhe ka kërkuar nga qeveria që të krijojë Pako Ekonomike për Gastronomi në vlerë prej 10 milionë eurosh.
“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës, kërkojmë që URGJENTISHT Qeveria të dalë me qëndrim zyrtar lidhur me kërkesat kryesore të sektorit të gastronomisë, për krijimin e Pakos Ekonomike për Gastronomi, në vlerë së paku prej 10 milionë eurosh”, është shkruar në postim.
Tutje, shoqata ka parashtruar edhe mënyrën e projektimit të kësaj pakoje.
“1. Subvencionimi i shpenzimeve operative deri në përfundimin e pandemisë (mbulimet e qirasë, pagat e punëtorëve);
2. Shtyrje të afatit të kësteve të kredive, dhe kthimit të mbitërheqjeve deri në përfundimin e pandemisë;
3. Pagesa direkte për bizneset e gastronomisë, sipas vlerësimit të situatës;
4. Lejimi i shërbimeve me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë”, thuhet tutje.
Ata, në rast se nuk plotësohen këto kërkesa përbrenda shtatë ditëve, kanë paralajmëruar për reagime të ashpra.