Pas zhvillimeve të fundit rreth konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj ish-ushtarëve të UÇK’së, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur mbledhje të kryesisë, raporton Express
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe ai i Infrastrukturës Arban Abrashi, janë parë në zyrat e partisë në lagjen “Qafa” në Prishtinë.
Po ashtu, në selinë e partisë kanë arritur edhe Lutfi Haziri e Skënder Hyseni.
Para mbledhjes ata nuk janë deklaruar për media, derisa kanë thënë se këtë do ta bëjnë pas takimit.
Ndryshe, Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj Presidentit Hashim Thaçi, i cili sot dha dorëheqje nga ky post.
Në vend të Thaçit, ushtruese e detyrës së Presidentes është Vjosa Osmani, e cila tashmë ka pranuar detyrën.
Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj Kadri Veselit, i cili deri më sot ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Edhe Veseli sot deklaroi se do të tërhiqet nga të gjitha pozitat politike, deri në përfundim të proceseve në Hagë.