Masat e reja janë planifikuar të nisin të zbatohen prej ditës së martë. Dyqanet ushqimore dhe shërbimet e shpërndarjes së ushqimit do të përjashtohen nga bllokimet brenda një orari të caktuar.
Ndalim-qarkullimi në fundjavë gjatë orëve të mbrëmjes në dy javët e fundit, ndikoi pak në frenimin e lëvizjes së njerëzve. Mediat turke kanë transmetuar pamje ku shfaqeshin hapësira publike të mbushura.
Numri i viktimave brenda një dite shënoi shifra rekord për shtatë ditë me radhë, duke e çuar totalin e të vdekurve në 13,558. Javën e kaluar Turqia rinisi të raportojë të gjitha rastet pozitive me COVID-19, ndërsa për katër muaj raportonte vetëm ato raste kur sëmundja shfaqej me simptoma. Tashmë numri i infektimeve ditore ka arritur në rreth 30,000. Shifrat e reja e rendisin Turqinë mes vendeve më të goditura në Evropë.
Presidenti Erdogan njoftoi gjithashtu se personat mbi 65 vjeç dhe të rinjtë nën 20 vjeç nuk do të lejohen të përdorin transportin publik. Vizitorët e qendrave tregtare do të duhet të përdorin një kod gjurmimi të kontakteve, ndërsa pjesëmarrja në martesa e funerale do të kufizohet në 30 persona./VoA