Analistët e zgjedhjeve thonë se Shtetet e Bashkuara janë duke shkuar drejt një rekordi të ri për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, është e mundshme që kandidati me më së shumti vota të mos shpallet fitues i garës. Si mund të ndodhë kjo?
Në sistemin zgjedhor amerikan, votuesit e përcaktojnë fillimisht fituesin në nivel të shtetit ku jetojnë e jo drejtpërdrejt në nivel kombëtar, shkruan BBC.
Për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, një kandidat duhet t’i fitojë së paku 270 vota në atë që quhet kolegj zgjedhor. Secili shtet i Shteteve të Bashkuara ka një numër të caktuar të votave në këtë kolegj.
Numri i votave që secili shtet ka në kolegjin zgjedhor përcaktohet pjesërisht nga numri i banorëve, ndërsa numri i përgjithshëm i votave në këtë organ është 538.
Numri i votave që secili shtet i ShBA-së ka në Kolegjin Zgjedhor
Rrjedhimisht, disa shtete kanë numër më të madh të votave dhe peshë më të madhe për zgjedhjen e presidentit, ndërsa disa shtete me numër të vogël banorësh kanë shifër simbolike të votave në kolegjin zgjedhor.
Për shembull, Kalifornia është shteti që ka më së shumti vota në kolegj – 55, ndërsa disa shtete me popullsi të vogël, si Alaska dhe Dakota Veriore, kanë vetëm nga tri vota.
Prandaj, është e mundshme që një kandidat të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara duke fituar në garë të ngushtë në shtete të caktuara, pavarësisht që ka numër më të vogël të votave të përgjithshme në nivel kombëtar.