Një shofer ka më shumë gjasa t’i kushtojë vëmendje gjërave të tjera përveç drejtimit, nëse vetura ka një sistem asistence që mund të përshpejtojë, frenojë dhe drejtojë automatikisht.
Këtë e tregojnë dy studime të reja të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më saktësisht, bëhet fjalë për sistemin e ndihmës së pilotit (Volvo) dhe Autopilotin e Teslës. Ato reklamohen si një mënyrë për ta bërë drejtimin më të sigurt dhe më të këndshëm, por në praktikë nënkuptojnë se shumë shoferë po kontrollojnë celularët e tyre, hanë ushqim apo edhe rruhen pas timonit.
Veturat paralajmërojnë në intervale të rregullta se shoferi duhet të prekë timonin – përndryshe sistemi do të fiket, por drejtuesit u përshtatën shpejt me paralajmërimet dhe vazhduan të mbanin vëmendjen e tyre në gjëra të tjera përveç trafikut.
Studimi i parë përfshiu 29 shoferë që përdorën sistemin Volvo Pilot Assist për tre vjet. Studimi i dytë përfshiu 14 shoferë që vozitin me autopilotin e Teslës për një muaj.
“Në të dy studimet, shoferët rregulluan sjelljen e tyre dhe filluan të përfshihen në aktivitete që nuk kanë të bëjnë fare me drejtimin e automjetit”, tha David Harkey, president i Institutit Ndërkombëtar të Sigurimeve (IIHS). /Telegrafi/