Kur jemi 19 ditë nga Election Day, janë 14 milionë amerikanë që kanë shprehur preferencën e tyre me postë, por edhe në votën e parakohshme për presidentin e ri.
Kjo shifër bëhet e ditur nga një analizë e re e Us Elections Project, që monitoron ecurinë e votës së parakohshme për llogari studimore të Universitetit të Floridas, që më pas është publikuar në të gjitha mediat ndërkombëtare.
Siç bën të ditur italiania ‘La Repubblica’, bëhet fjalë për një rekord, që përbën 10% të pjesëmarrjes në zgjedhje 4 vjet më parë. Në Florida kanë votuar më shumë se 2 milionë të atyre që kanë të drejtë vote. Në Georgia ka pasur radhë të gjata për disa orë në vendvotimet e parakohshme.
Në zgjedhjet Presidenciale të vitit 2016 kanë votuar gjithsej 130 milionë amerikanë. Por këtë vit besohet se shumica e votuesve të hershëm është kryer për shkak të Pandemisë së Covid-19.
Biden në avantazh me 17 pikë nga Trump
Ndërkaq në sondazhet që janë publikuar së fundmi Joe Biden ndodhet përpara me 17 pikë nga Donald Trump. Sipas sondazhit Opinion-Guardian Us, kandidati demokrati ka 57% të përkrahjes kundër 40% të Trump.
Biden mund të llogarisë shumë shpejt edhe mbështetjen e Barack Obamës: Javën e ardhshme ish- presidenti do të vizitojë disa shtete ku votimi tashmë ka nisur për të kërkuar që të rrisë presionin final të ish-zëvendësit të tij.
Pasi u pezullua debati televiziv si pasojë e infektimit të Trump me koronavirus, dy sfidantët do t’i përgjigjen pyetjeve të zgjedhësve në të njëjtën orë, por në dy kanale televizive, presidenti akual nga Miami në televizionin NBC, kurse ish-zëvendëspresidenti, nga Philadelphia në televizionin Abc.
Florida dhe Pensilvania që do të zhvillojnë debatet, janë dy shtete kyçe të fituar nga Trump në vitin 2016 e ku Joe Biden rezulton në krye të sondazheve.
Debati në distancë – tha profesori i shkencave politike në Universitin e Wisconsin-it, “është një humbje e vërtetë e demokracisë”.
Përballja e fundit ballë për ballë ndërmjet Trump e Biden është parashikuar për 22 tetor nga qyteti Nashville, i shtetit Tennessee.
Sulmi i Trump në Iowa: “Joe Biden ka gënjyer për të birin”
“Joe Biden është një politikan i korruptuar, ka gënjyer dhe nuk i duhet lejuar që të garojë për presidencën e Shteteve të Bashkuara”. Donald Trump është shprehur kështu para mbështetësve të tij në Iowa ku ka nisur të flasë për të ashtuquajturat email të Hunter Biden të shpërndara nga New York Post e që dëmtojnë ish-zëvendëspresidentin.
Twitter bllokon llogarinë e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë
Twitter po kërkon që të ndalojë që të bëhet viral artikulli kontrovers i New York Post për Joe Biden dhe të birit Hunter. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë
Kayleigh McEnany, ka thënë se i është bllokuar account-i personal për të postuar artikullin. Biden – ka deklaruar Donald Trump gjatë mitingut të tij në Iowa, “ka bllokuar vetëm sepse donte të shpërndante të vërtetën “.
Gazeta bën të ditur se ka siguruar email-et që konfirmojnë që Hunter Biden dhe babai i tij kur ishte zv.president i SHBA kanë kërkuar largimin e prokurorit të Ukrainës që hetoi mbi një aferë abuzimi.
Edhe Facebook po kërkon të zvogëlojë shpërndarjen e artikullit në pritje të kontrollit të fakteve. Joe Biden gjithmonë ka mohuar që i ka bërë presion krerëve të Ukrainës për këtë çështje./GazetaShqip