Rundi i parë i zgjedhjeve u kry më 17 tetor. E ai i dytë mbrëmë.
Rezultati i të dyjave nxjerr Partinë Demokratike si partinë shqiptare me më së shumti komuna të fituara – nëntë. Pas saj është Lidhja Demokratike me shtatë. AAK-ja me pesë. E VV-ja fitoi pos në katër komuna.
Duke u bazuar mbi këto të dhëna, politologu Fidan Ukaj fituese e sheh opozitën aktuale.
Ai përmend disa arsye se pse sipas tij partitë opozitare, PDK, LDK E AAK dolën më mirë se ajo në pushtet, LVV.
“LVV ka hyrë në zgjedhje me kandidatë shumë të dobët, apo edhe kandidatë që kanë ndërru shumë parti politike, si rasti i Gjakovës. E dyta, pozita nuk i ka mbajtë shumë prej premtimeve elektorale. Kontribut shtesë është edhe mbyllja e qeverisë ndaj medieve. Mostransparenca”, theksoi ai për “Front Online”.
Fituesit e humbësit e zgjedhjeve lokale i ka të njëjtë edhe njohësi tjetër i politikës, Arbnor Sadiku.
Ky ndalet në katër arsye kur flet për fitoret e humbjet e partive.
“VV-ja i humbi zgjedhjet shkaku i kandidaturave të dobëta per kryetar komunash si dhe dështimi në qeverisjen 7 apo 8 mujore, i shumicës së minstrave të saj. Në anën tjetër, reformat e brendshme të ndërmarra dhe kandidaturat e duhura ishin shkaktare të rezultateve të mira zgjedhore të PDK-së dhe LDK-së”, theksoi ai për “Front Online”.
Nga të gjitha partitë, Lista Serbe ka më së shumti komuna të fituara, dhjetë.
Sipas të dhënave nga KQZ pjesëmarrja në rundin e balotazhit ishte 37.85%.
Në raundin e dytë kanë marrë pjesë 21 komuna, pasi që më 17 tetor nuk kishte arritur të fitonte vetëm njëri kandidat.
FITUESIT E MBRËMSHËM ZGJEDHORË
Sipas rezultateve preliminare, Komunën e Gjakovës e ka fituar Ardian Gjini i AAK-së me 20.254 vota ose 50.06 për qind të votave.
Në Gllogoc ka fituar Ramiz Lladrovci me 11.572 vota ose 54.14 përqind.
Në Gjilan ka fituar Alban Hyseni i VV-së me 21.374 vota ose 51.03 për qind.
Dragashin e ka fituar Shaban Shabani i PDK-së me 5648 vota ose 20.21 për qind.
Istogun e ka fituar Ilir Ferati me 9.503 vota ose 56.20 përqind.
Në Kaçanik ka fituar Besim Ilazi i PDK-së me 7.184 vota ose 53.20 për qind.
Në Klinë ka fituar Zenun Elezaj i AAK-së me 7866 vota.
Në Fushë-Kosovë ka fituar Burim Berisha me 7864 vota ose 66.04 për qind.
Në Kamenicë ka fituar Kadri Rahimaj me 8040 vota ose 53.11 për qind.Në Obiliq ka fituar Xhafer Gashi me 6414 vota ose 61.41 për qind.
Rahovecin e ka marrë Smajl Latifi i AAK-së me 11.445 vota ose 63.32 për qind.
Në Podujevë ka fituar Shpejtim Bulliqi me 20.282 vota ose 51.84 për qind.
Në Prishtinë, Përparim Rama me 40.659 vota ose 51.07 për qind.Në Prizren ka fituar Shaqir Totaj i PDK-së me 27.017 vota ose 51.01 për qind.
Në Shtime ka fituar Qemajl Aliu i VV-së me 6920 ose 50.71 për qind të votave.
Në Viti ka fituar Sokol Haliti me 8.684 vota ose 51.48 për qind.
Vushtrrinë e ka fituar Ferit Idrizi i PDK-së me 13.181 vota ose 53.13 për qind.
Në Malishevë ka fituar Ekrem Kastrati me 10.394 vota ose 53.19 për qind.
Junikun e ka marrë Ruzhdi Shehu me 1.199 vota ose 50.61 për qind.
Në Mamushë ka fituar Abdulhadi Krasniqi me 1580 vota ose 63.38 për qind.
Dhe në Kllokot ka fituar Vladan Bogdanoviq me 1021 vota ose 55.13 për qind.