×
  • Lajme
  • Lajme

    Sinjalet e “përziera” të PDK-së për të ardhmen e Qeverisë

    FrontOnline
    21 Korrik 2020

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si parti e dytë opozitare në Kuvendin e Kosovës, ndryshe nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk pati kundërshtuar formimin e Qeverisë së re të Kosovës, në krye të së cilës është kryeministri Avdullah Hoti.

    Por, ditëve të fundit, PDK-ja, e cila më 13 korrik në Kuvendin e Kosovës e ka përkrahur edhe miratimin në parim të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore, ka shpeshtuar dhe ashpërsuar kritikat ndaj qeverisë së kryeministrit Hoti, sidomos për çështjen e rinisjes së dialogut me Serbinë.

    Zyrtarët e PDK-së, thonë që kjo parti po e bën rolin e saj që i takon, atë të opozitës. Por, njohës të zhvillimeve politike, konsiderojnë se fjalori me plotë kritika në adresë të Qeverisë së Kosovës, i shprehur së fundmi nga PDK-ja, e që është ndryshe nga disa javë më parë, është indikator që tregon se PDK-ja është e interesuar të përfitojë për veten në këtë situatë.

    Hoxhaj: Është çështje e qeverisë zgjerimi i saj

    Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që partia e tij është opozitë ndaj qeverisë, por jo ndaj shtetit. Sipas tij, kjo është arsyeja pse e kanë votuar buxhetin e rishikuar, në mënyrë që t’iu shërbehet qytetarëve në kohë të pandemisë së koronavirusit dhe tashmë kur rënia ekonomike është e dukshme.

    Sipas tij, PDK-ja nuk është as kundër zhvillimit të dialogut me Serbinë, por është kundër mënyrës dhe qasjes që ka Qeveria Hoti në dialog, meqë, siç thotë ai, në dialog qeveria ka hyrë “pa platformë të shkruar, pa strategji, pa koordinim të mirë ndërinstitucional, pa konsensus politik, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspertizë”.

    Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a duhet tema e dialogut të shërbejë si shkas që Qeveria e Kosovës –e cila konsiderohet e brishtë për shkak se është miratuar me votat e 61 deputetëve nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës – që të zgjerohet dhe përfshijë edhe subjekte tjera politike nga opozita, në këtë rast vetë PDK-në, Hoxhaj përgjigjet:

    “Çështja e zgjerimit apo moszgjerimit të qeverisë, nuk është temë që i takon vetëm Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është temë që i takon qeverisë. Ne jemi në opozitë dhe mbesim në opozitë. Nuk jemi këtu që të japim mendime se çfarë do të duhej të bëjë Qeveria e Kosovës për aq sa mund të qëndrojë apo mund të mos qëndrojë. Por, për tema të caktuara, mendoj që sjellja e PDK-së ka qenë parimore, konstruktive dhe në interes të rezonit shtetëror dhe në interes të qytetarëve, sikurse u pa me buxhetin, por sikurse po shihet edhe me qëndrimin tonë për dialogun”, tha Hoxhaj.

    Ai ka shtuar që PDK-ja nuk mendon që duhet të ketë një proces të dialogut që të zgjasë dhjetë vjet të tjera, por të ketë një marrëveshje ndërmjet dy vendeve për njohje të reciproke.

    Në vijë të përafërt me këtë, ka qenë edhe deklarata e Bekim Çollakut, shefit të kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më 18 korrik ka thënë që qëllimi i dialogut me Serbinë, duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke dhe jo rinisja e një dialogu teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

    Maliqi: PDK-ja do ta shfrytëzojë situatën

    Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që marrë parasysh brishtësinë e Qeverisë Hoti, Partia Demokratike e Kosovës, por edhe presidenti Thaçi, kanë fuqinë dhe mekanizmat që ta destabilizojnë, por edhe ta rrëzojnë këtë qeveri.

    Por, sipas tij, qeveria aktuale do të vazhdojë tash për tash mandatin për shkak se, siç thotë ai, aktualisht as PDK-ja nuk e sheh në interes të saj që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sidomos në kontekstin kur ende nuk është definuar se çfarë do të ndodhë me liderin e saj Kadri Veseli, ndaj të cilit Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, ka paraqitur aktapadinë për krime të luftës, ashtu sikurse edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Gjithashtu, siç thotë analisti Maliqi, PDK-ja mbetet faktor vendimtar për dialogun, për shkak se asnjë marrëveshje nuk mund të kalojë pa votat e tyre, të cilat janë të nevojshme për të arritur dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, aq sa nevojitet për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Mendoj që PDK-ja do të mundohet që ta shfrytëzojë këtë situatë, qoftë edhe si formë presioni në raport me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe me qeverinë aktuale, për të nxjerrë diçka për veten. Në këtë moment, unë nuk shoh interes për PDK-në për ta rrënuar qeverinë dhe për të hyrë në zgjedhje. Shoh mundësi që të ketë një modalitet, ku PDK-ja mbetet kështu siç është tani, mirëpo të bashkëpunojë të paktën në nivel të dialogut. Pra, aty e gjen një formë të bashkëpunimit me qeverinë, deri në një moment tjetër më të përshtatshëm për të shkuar në zgjedhje. Por, as përfshirjen në qeveri nuk do ta përjashtoja dhe mendoj që ky është, po supozoj, një debat brenda PDK-së akoma i gjallë”, u shpreh Maliqi.

    Kryeministri Hoti ka thënë të hënën që ka dërguar ftesa për një takim të liderëve të partive politike në Kosovë.

    Jashtë qeverisë, të fitohet maksimumi

    Por, lidhur me atë nëse ka pasur ndonjë ftesë nga kryeministri Hoti për PDK-në, që të përfshihet në procesin e dialogut me Serbinë, Hoxhaj ka theksuar se kjo nuk varet nga kryeministri. Mënyra se si duhet qasur dialogut, sipas tij, është temë e partive politike.

    Megjithatë, ai nuk ka saktësuar as nëse PDK-ja ka pasur ndonjë ofertë për përfshirje në qeverinë që e drejton kryeministri Hoti.

    “Nuk mund të na bëjë ofertë kryeministri (Hoti) që të hyjmë në qeveri, sepse kryeministri nuk është lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ne nuk kemi nevojë që të flasim me kryeministrin. Por, qëndrimi ynë është që ne mbetemi në opozitë dhe nuk na intereson fakti se ka apo nuk ka ofertë. Ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin”, tha Hoxhaj.

    Megjithatë, analisti Maliqi vlerëson që në rast se PDK-ja eventualisht do të kërkojë përfshirje në qeverinë aktuale, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dy partnerët kryesorë të koalicionit aktual qeverisës, do të duhej ta akomodojnë PDK-në edhe brenda hises qeverisëse. Por, ai nuk e përjashton mundësinë që PDK-ja të mbetet një mbështetëse e jashtme e qeverisë pakicë, me kushtin që ajo ta propozojë presidentin e vendit, në rast se presidentit aktual, Thaçit, i konfirmohet aktakuza nga Dhomat e Specializuara.

    “Sepse, në rast se ato konfirmohen, atëherë që padyshim se do të krijohet një dinamikë e re, duke filluar nga zgjedhja e presidentit, ku PDK-ja, në këtë kontekst, do të duhet të zgjedhë në mes të përfshirjes në qeveri apo të paktën, duke mbetur në opozitë, por duke e propozuar presidentin dhe kështu të mbetet ‘me një gjysmë këmbe’. Mendoj që këto janë dinamikat dhe për momentin, sinjalet që dërgon PDK-ja janë të përziera, pikërisht se është e paqartë për veten e saj dhe e dyta, për shkak se synon ta nxjerrë një maksimum në kontekstin ku vota e saj është vendimtare, jo vetëm për qeverinë, por edhe për dialogun”, theksoi Maliqi.

    Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar edhe një takim për të mërkurën, më 22 korrik, në Bruksel, ndërmjet palëve të Kosovë dhe Serbisë, të cilin e kanë cilësuar si takim të nivelit teknik.

    Kryeministri Hoti, ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë rinisje të procesit teknik të dialogut me Serbinë, duke theksuar se “ka dialog vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”./REL/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka theksuar se mosbashkëpunimi i Qeverisë me përfaqësuesit e bizneseve ka krijuar një...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pesë persona vdiqën të premten mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë, pas një sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjes atje. Në mesin...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka theksuar se përkundër premtimeve të shumta, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Starlink është funksional tani edhe në territorin e Kosovës. Ai ka thënë...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Qeveria e Shqipërisë bëri të ditur një ditë më parë se ka vendosur që të mbyllë për një vit platformën TikTok, si...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sigurim të kushteve të dinjitetshme të punës, çdo vend pune me kontratë, kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Një person është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë, konkretisht në lagjen Vetërnik. I dyshuari derisa ka qenë duke lëvizuar me...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Spektakli më i madh dhe fenomenal që ka thyer rekorde shikueshmërie, “Big Brother VIP 4”, tashmë ka startuar. Mbrëmjen e së shtunës,...
    Sport22 Dhjetor 2024
    Peja ka fituar derbin e javës së 13-të të Superligës, duke mundur Trepçën me shifrat 65:64 (27:17, 17:14, 10:23, 11:10). Vendasit e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.